Mustafa: “Rasti Hamiti” të mos politizohet!
Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa u ka apeluar organeve të drejtësisë që ta shqyrtojnë në mënyrë të drejtë dhe ligjore rastin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Sami Hamiti, sepse sipas tij, shqyrtimi i drejt i këtij rasti është në të mirë të Hamiti, në të mirë të Komunës, dhe në të mirë të zbatimit të ligjit në Kosovë.“Ne dëshirojmë që të ketë interpretim ligjorë dhe se organet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre duke u bazuar në ligj. Ne apelojmë që këto organe ta shqyrtojnë në mënyrë më të drejtë ligjore këtë çështje, sepse është në të mirë të zotit Hamiti, në të mirë të Komunës, dhe në të mirë të zbatimit të ligjit në Kosovë për çka ne angazhohemi çdo herë”.
“Ajo çka në fakt kërkojmë ne, është që këto raste mos të bëhen spektakël në media, por të merren organet e drejtësisë dhe ato t’i sqarojnë sa me parë. Kjo do të ishte në dobi të asaj çfarë angazhohem unë dhe partia ime, LDK-ja. Është e dëmshme që këto të mbeten kështu, e të mos japin përgjigje organet e drejtësisë. Ne dëshirojmë që të ketë interpretim ligjorë dhe se organet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre duke u bazuar në ligj. Aq më pak dëshirojmë që ky rast dhe të tjerat të politizohen dhe të marrin karaktere dhe interpretim tjetër”, ka deklaruar Mustafa, raporton RTK.
Mustafa ka thënë se Komuna e Prishtinës akoma nuk ka një informatë ose vlerësim të organeve të drejtësisë lidhur më atë se për çfarë ngarkohet Hamiti. “Ne nuk kemi qenë të njoftuar për këtë rast, prandaj ne nuk kemi pasur mundësi që edhe të japim vlerësime, si Komunë lidhur më atë. Ne angazhohemi që organet e drejtësisë ta bëjnë punën e vet”. .
Mustafa ka thënë se Hamiti në rolin e kryesuesit të asamblesë, që është rol moderues i seancës, më përgjegjësinë më të plotë, ligjore dhe procedurale e ka kryer punën e tij. “Do të ishte keq që të paragjykohet vepra, ngase qysh dje kamë parë që ka tentative për paragjykim, por kjo duhet lenë organeve të drejtësisë sepse askush nuk mund të shpallet fajtor paraprakisht pa vendos drejtësia. Sami Hamiti mbetet kryesues i kuvendit, ai e ka marrë votën e qytetarëve, dhe nga këshilltarët e asamblesë është votuar për kryesues të Kuvendit të Komunës”, ka deklaruar Mustafa lidhur me rastin e Sami Hamiti, i cili u arrestua nga policia dy ditë më parë nën dyshimin se ka keqperdorur dëtyren zyrtare. /Telegrafi/