Nagip Skenderi tërhiqet nga MPJ, respekton kërkesën e UP-së

20:59 / 1.08.2013

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Nagip Skenderi, është zyrtari i parë i lartë i Qeverisë së Kosovës që ka marrë vendim për hequr dorë nga marrëdhënia e dytë e punës në institucionet publike. Skenderi ka vendosur të tërhiqet nga pozita në MPJ dhe të vazhdojë kontributin në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Zëdhënës i MPJ-së, Artan Behrami, ka konfirmuar për Telegrafin vendimin e Skenderit për t’u tërhequr nga kjo pozitë, duke respektuar kështu kërkesën e rektorit të UP-së, Ibrahim Gashi, i cili u ka dërguar sot një letër dekanëve të fakulteteve duke i informuar lidhur me ecurinë e veprimeve të ndërmarra për dorëheqje nga marrëdhënia e dytë e punës për stafin e rregullt akademik, të cilët, përveç UP-së, kanë edhe një marrëdhënie tjetër të rregullt pune.

“Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Nagip Skenderi, është ndër zyrtarët e parë të institucioneve i cili ka vendosur që në respekt të kërkesës së Universitetit të Prishtinës, të ndërmarrë një hap të tillë. MPJ shpreh konsiderata për punën dhe angazhim e tij, duke i uruar suksese të mëtutjeshme në jetën akademike, në kuadër të Universitetit”, tha Behrami.

Ndërkohë, rektori Gashi ka informuar dekanët lidhur me formularët për deklarim të personelit akademik lidhur me atë nëse përveç UP-së kanë edhe ndonjë marrëdhënie tjetër pune.

“Rektori i UP-së, pas pranimit të deklaratave të personelit akademik që kanë marrëdhënie tjetër pune përveç UP-së, për tri ditë radhazi ka mbajtur takime individuale me secilin prej tyre, ku edhe është kërkuar që deri më 20 shtator 2013 të deklarohen përfundimisht nëse duan ta mbajnë kontratën e punës me Universitetin e Prishtinës apo me ndonjë institucion tjetër, por në asnjë mënyrë t’i mbajnë dy kontrata të rregullta pune”, thuhet në letrën e rektorit Gashi.

Nëse kjo kategori e stafit akademik nuk sjell dëshmi për shkëputje të marrëdhënies së dytë të punës deri më 20 shtator 2013, siç bën të ditur rektori i Gashi, ai do të ndërmarrë veprime të njëanshme për shkëputje të kontratës pa ndonjë paralajmërim tjetër. /Telegrafi/


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.