NATO dhe SHBA-të të interesuar për Evropën Juglindore
Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Fatmir Besimi, i cili po lobon në SHBA dhe Evropë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ka thënë se lajmi i rëndësishëm që sjell nga turneu diplomatik është se NATO dhe SHBA-të mbeten të interesuara për Evropën dhe rajonin e Evropës Juglindore.Besimi i cili po merr pjesë në Munih të Gjermanisë në konferencën me temë ‘Siguria në nivel global dhe rëndësia e aleancës euroatlantike për sigurinë dhe paqen’ ka zhvilluar takime edhe me homologët britanikë, të Danimarkës, Kroacisë dhe Izraelit.
“Pata mundësi të realizoj dy takime bilaterale me ministrin e mbrojtjes të Britanisë së Madhe, ku diskutuam për bashkëpunimin e deritashëm, dhe ajo që është me rëndësi për ne integrimet euroatlantike, gjegjësisht theksova edhe një herë rëndësinë që Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s në një të ardhme të shpejtë dhe mundësisht, të shfrytëzohet edhe momenti që kjo temë të diskutohet edhe në samitin e NATO-s. Ajo që është me rëndësi që disa vende gjatë takimeve që po realizojmë deri tani japin konfirmimin për Maqedoninë për kontributin në NATO, për paqen botërore dhe një inkurajim për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, ka thënë Besimi për Alsat-M.
Ai ka shtuar se takimet me gjithë homologët e tij nga vendet e NATO-s do të vazhdojnë, ndërsa paralajmëroi takim edhe me ministrin e mbrojtjes së Greqisë. /Telegrafi/