NATO s’ia miraton FSK-së kapacitetet e plota operacionale
Forca e Sigurisë së Kosovës mund të mos e marr miratimin nga NATO për kapacitetet e plota operacionale.Burime brenda FSK-së kanë thënë për Radio Kosovën se disponimi aktual i disa shteteve në NATO është që kjo forcë të mos marr miratimin për kapacitet e plota operacionale. NATO është dashur që në shtator të jap këtë miratim, por kjo me gjasë do të shtyhet për vitin e ardhshëm.
Kreu i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku nuk e thotë qartë nëse përfundimi i mandatit ekzekutiv të NATO-s mbi këtë forcë do të rezultojë me aprovimin e kapaciteteve të plota operacionale të saj dhe me transformimin e FSK-së në ushtri të vendit, ashtu siç ishte paralajmëruar.
“NATO e ka vlerësuar progresin dhe ka vlerësuar se FSK është e gatshme të përmbyll misionin dhe të kaloj në një forcë tjetër”, ka thënë Çeku për Radio Kosovën.
Për këtë çështje nuk janë deklaruar zyrtarët e NATO-s në Bruksel dhe Prishtinë.
Burime brenda misionit të NATO-s në Kosovë dhe brenda FSK–së kanë shpjeguar se miratimi i kapaciteteve të plota operacionale të paralajmëruara për këtë shtator ka gjasë të shtyhet për vitin e ardhshëm, ndonëse brenda misionit në Kosovë mësohet se vazhdojnë përgatitjet për reduktimin e disa segmenteve që kanë punuar në mbikëqyrje.
Megjithatë Çeku nuk ka preferuar të komentoj se në çfarë raportesh me NATO-n do të gjendet FSK pas qershorit 2013.
Ligji në fuqi për Forcën e Sigurisë parasheh që një rishikim i plotë i kufizimeve të veprimeve të saj do të bëhet jo më herët se pesë vite nga koha e hyrjes në fuqi e këtij Ligji.
Ndërkaq Qeveria e vendit tashmë ka nisur rishikimin sektorit të sigurisë duke përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. /Telegrafi/