Në Ditën e Kujtesës për Holokaustin, Berlusconi lavdëron Mussolinin
Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, vlerëson se diktatori fashist Benito Mussolini "ka bërë shumë gjëra të duhura", pos politikës raciste që ishte e gabuar."Megjithatë, Italia nuk ka përgjegjësi të njëjtë si Gjermania”, tha Berlusconi në një ceremoni të mbajtur në Milano, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin.
Kjo nuk është hera e parë që Berlusconi, i cili në zgjedhjet e ardhshme do të jetë kandidat për deputet në Parlament, mban qëndrim dashamirës ndaj Mussolinit. Dhjetë vjet më parë ai ka thënë se Mussolini nuk e ka vrarë askënd, ndërsa në vitin 2010 shkaktoi reagim ndërkombëtar kur ka treguar një barsoletë për çifutët gjatë Holokaustit.
Kryeministri në largim, Mario Monti, ka bërë thirrje që vëmendja të jetë e drejtuar në atë që aktivitetet e së djathtës ekstreme nuk duhet injoruar dhe se tragjedia e periudhës naziste nuk duhet të përsëritet.
Lideri fashist, i cili mori pushtetin në Itali më 1922 , gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte në anën e Gjermanisë naziste. Ai zhvilloi fushatën kundër hebrenjve dhe popujve të tjerë.
Dita Ndërkombëtare e Kujtesës është caktuar më 27 janar, para 17 vitesh, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Në atë datë, më 1945, trupat sovjetike çliruan kampin e përqendrimit Auschwitz-Birkenau.
Nazistët e hapën këtë kamp pas pushtimit të Polonisë, më 1939 vit, pushtim ky që shkaktoi Luftën e Dytë Botërore. Në kamp fillimisht janë dërguar të burgosurit politikë polak. Ndërsa, pas planit për “Zgjidhjen përfundimtare”, nazistët ndërtuan edhe Birkenaun.
Gjermanët pastaj i kanë transportuar hebrenjtë dhe grupet tjera të persekutuara me vagonë, nga të gjitha viset e Evropës. Deri në gjashtë milionë njerëz besohet se janë vrarë aty.
Se çfarë kishte ndodhur në Auschwitz, nazistët nuk kanë bërë asnjë publikim. Fillimisht, në mes të prillit 1945, disa të mbijetuar i rrëfyen programit gjerman të BBC-së përjetimet e tyre gjatë qëndrimit në kamp. Edhe Anita Lasker përshkroi kujtimet e saj në radio: "Një mjek dhe një komandant prisnin ardhjen e transporteve të reja dhe para syve tanë bëhej seleksionimi. Kjo do të thotë: të sapoardhurit pyeteshin për moshën dhe shëndetin.
Shumë të sapoardhur nuk dinin dhe tregonin për ndonjë sëmundje nga e cila vuanin. Kështu ata e vulosnin vet dënimin me vdekje. Rëndësi e veçantë i kushtohej moshës, pleqve dhe fëmijëve. Djathtas, majtas, djathtas, majtas... Djathtas do të thoshte vazhdim i jetës, majtas do të thoshte në furrën e djegies", përshkruan dëshmitarja okulare.
Auschwitzi është kampi më i madh dhe më i tmerrshëm i përqendrimit dhe shfarosjes. Organizator i vrasjeve masive ishte Adolf Eichmann. Ai kryesonte departamentin e ashtuquajtur për çështje hebraike në Zyrën e Sigurimit të Rajhut. Me përfundimin e luftës, Eichmann me ndihmën e Vatikanit u largua për në Argjentinë.
Në maj të vitit 1960, Eichmann gjurmohet nga inteligjenca izraelite. Ai rrëmbehet dhe dërgohet në Izrael. Kundër tij zhvillohet një proces gjyqësor, në të cilin ai përpiqet të minimizojë rolin e tij gjatë Holokaustit: "Mua më vjen keq dhe e dënoj shfarosjen e hebrenjve të urdhëruar nga udhëheqja e atëhershme shtetërore". Ai deklaron se vet nuk ka qenë në gjendje të bëjë të pamundurën. "Unë kam qenë vetëm një mjet në duart e pushteteve të forta dhe forcave të fuqishme dhe të një 'fati të pashpjegueshëm'", përpiqet Eichmann të minimizojë përgjegjësinë e tij.
Por, arsyetimet cinike dështojnë në gjyq dhe mbeten pa efekt. Gjykata e shpall atë fajtor dhe e dënon me vdekje. Eichman ekzekutohet në vitin 1962.
Kampi i përqendrimit në Auschwitz, rreth 60 kilometra në jugperëndim të Krakovit u ngrit në pranverën e vitit 1940. Në shtator të vitit 1941, komandanti i kampit Rudolf Hoess jep urdhrin që të përdoret gazi me helm Ciklon B për të vrarë të burgosurit. Ciklon B përdorej fillimisht si një mjet dezinfektues, tymi i të cilit shkakton vdekjen brenda disa minutave. Që nga viti 1942, trupat SS i deportojnë hebrenjtë nga e gjithë Evropa në Aushvic. Nga viti 1943, hebrenjtë, romët dhe të përndjekurit e tjerë nga nazistët vriteshin në mënyrë "industriale": Të burgosurit vriteshin në katër dhoma gazi dhe më pas digjeshin në furra të mëdha.
Holokausti, të cilin Eichmann gjatë gjykimit të tij e ka quajtur si një "fat të pashpjegueshëm", u kushtoi jetën më shumë se gjashtë milionë njerëzve: të paktën 5.6 milionë hebrenjve dhe një gjysmë milioni sintive dhe romëve. Në mënyrë sistematike janë përndjekur edhe njerëzit me aftësi të kufizuara, homoseksualët dhe dëshmitarët e Jehovait. Në mesin e të vrarëve kishte 1.5 milion fëmijë.
Që nga viti 1996, Republika Federale e Gjermanisë zyrtarisht më 27 janar përkujton viktimat e regjimit nazist. /Telegrafi/