Në Wikileaks 668 dokumente për Kosovën nga DASH

22:48 / 28.11.2010

Shfaqjes së rreth 250.000 dokumenteve të ndryshme që përmbajnë artikuj analizash nga ambasadat amerikane në botë të publikuara nga faqja e internetit Wikileaks, nuk ka mundur t’i ikë as Kosova, së paku sipas të përditshmes britanike The Guardian.

(E plotësuar) Aty janë 668 dokumente ku përfshihen analiza të ndryshme të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth ngjarjeve politike në Kosovë, të shkruara nga ambasadorët apo diplomatët amerikanë të akredituar në Kosovë gjatë viteve 2000-2009.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve mbetet të shihet në ditët në vijim duke e ditur se një numër i madh i njerëzve janë duke u munduar t’i shkarkojnë ato. Për momentin, serverët e Wikileaks janë jashtë funksionit për shkak të ngarkesës së madhe.

Nga 668 dokumentet e botuara për Kosovën, dy janë sekrete (pa të drejtë për shtetasit e huaj), një është sekrete, 13 janë konfidenciale (pa të drejtë për shtetasit e huaj), 325 konfidenciale të përgjithshme, 191 të paklasifikuara vetëm për përdorim zyrtar, dhe 136 të paklasifikuara apo të përgjithshme.

Në dokumentin e botuar në tabelën e aferave në shtetin e Francës, disa komente interesante përmenden edhe për misionin evropian për sundimin e ligjit (EULEX).

Diplomati francez Jean-David Levitte deklaron se misioni i EULEX-it është duke u ballafaquar me probleme serioze diplomatike me qeverinë kosovare dhe publikun pas nënshkrimit të dy protokolleve më Serbinë. Ata shpresojnë për vazhdim të qetësisë publike në Kosovë gjatë zgjedhjeve komunale.

Zëvendëssekretari amerikan Philip Gordon thotë që Kosova do t'i pranojë protokollet me Serbinë domosdo, por duhet që t'iu shpjegohet qartazi qeveritarëve kosovarë se këto janë marrëveshje teknike që nuk e prekin statusin e pavarësisë së Kosovës.

Levitte po ashtu edhe akuzon ministrin e jashtëm serb Vuk Jeremic, duke thënë se nuk është duke bërë asgjë për t’i bindur serbët që të kthehen apo të inkuadrohen në qeverinë e Kosovës. Levitte shton se Jeremic bën "premtime të mëdha" sa herë që vjen në Francë,
por asgjë nuk realizohet pastaj.

Si rrjedhojë Ambasadori francez Levitte refuzon të takohet me të dhe nuk e sheh si "një fytyrë moderne të Beogradit”.

Publikimi i këtyre analizave rreth ngjarjeve politike në Kosovë të shkruara nga diplomatët amerikanë që dërgohen në Departamentin e Shtetit mund të janë bumerang i madh për partitë politike që kanë qenë në pushtet prej vitit 2004 deri në 2010, sepse një pjesë e madhe e dokumenteve përmban afera korrupsioni dhe krimi për shumë shtete të botës.

E përditshmja angleze “The Guardian”, ajo spanjolle “El Pais”, dhe ajo franceze “Le Monde”, janë të parat që i kanë publikuar disa nga materialet. Edhe “The New York Times” i ka publikuar disa dokumente, por të censuruara, duke marre parasysh rrezikun që mund t’ua shkaktojnë shumë punëtorëve diplomatikë amerikanë në botë.

Një pjesë e dokumenteve që “The New York Times” i ka publikuar tregon edhe një analizë të ambasadorit të tanishëm amerikan në Kosovë, Christopher Dell, i cili shpreh mendimet e tij për problemet politike në Zimbabve, ku në analizë edhe përqeshet lidershipi i saj.

Besohet se njeriu i cili që qëndron prapa këtyre vjedhjeve të materialeve të ndjeshme është një oficeri i ulët ushtarak amerikan, Bradley Manning.

Dokumentet që ambasadorët amerikanë i dërgojnë në Departamentin e Shtetit paraqesin një procedurë e rregullt që Sekretarja e Shtetit i kërkon çdo diplomati amerikan të akredituar në botë të dërgojnë materiale analitike rregullisht mbi çështje të ndryshme në vendet e akredituara. Informatat thuhet se dërgohen përmes një ruteri të sigurt, të cilin e përdorin mbi 180 ambasada amerikane në botë. Çdo diplomat apo ushtar amerikan me kredenciale sekrete mund të ketë hyrje në këtë ruter. Dokumentet top-sekret nuk mund të merren apo dërgohen përmes këtij ruterit. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.