Në zgjedhje edhe me ligjin e vjetër

12:15 / 28.09.2012
Dështimi për ta bërë reformën zgjedhore që ka qenë e kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian, ka bërë që partitë parlamentare të mos e përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme pa reformë. Këtë mundësi përfaqësuesit e partive e shohin si të mundshme pasi që Komisioni Parlamentar për Reformë Zgjedhore e përfundoi mandatin pa rezultat, sepse për dy vjet me radhë liderët e partive politike nuk arritën konsensus rreth sistemit zgjedhor, i cili, sipas rekomandimeve të BE-së, është dashur të thjeshtësohet.

Puna e këtij komisioni u pamundësua me vendimin e LDK-së për t’u tërhequr nga komisioni derisa PDK-ja nuk shprehet e gatshme për ta zbatuar marrëveshjen për presidenten. Dhe tashmë kur kalkulimet e partive për koalicionin e mundshëm PDK-AAK kanë nisur, organizimi i zgjedhjeve nacionale, por edhe presidenciale, nuk përjashtohet se do të ndodhë pa reformë edhe pse po të njëjtët zyrtarë të partive politike shprehen se mbajtja e zgjedhjeve me Ligjin e vjetër zgjedhor nuk do të garantonte votë të lirë.

Ndonëse ka thënë se nuk është kompetent për të folur në emër të partisë, anëtari i PDK-së në Komisionin Parlamentar për Reformën zgjedhore, Behar Selimi, ka theksuar se, me gjithë zhvillimet sa i përket reformës zgjedhore, “PDK-ja nuk i druan çfarëdo zgjedhjesh kurdo që do të mund të organizoheshin ato”.

Ai ka shtuar se “zgjedhjet në nivel nacional nuk do të duhej mbajtur pa përfunduar reforma zgjedhore e cila duhet të mos vonohet. E kemi rastin t’i bëjmë mirë së ardhmes demokratike të vendit, por edhe përmirësimit të raporteve ndërkombëtare me Kosovën”, shkruan "Koha Ditore".

Edhe LDK-ja e Isa Mustafës nuk i frikësohet hyrjes në zgjedhje pa përfundimin e reformës zgjedhore. Por edhe zyrtarë të kësaj partie e shohin të rrugës që zgjedhjet e ardhshme të organizoheshin me reformë për të cilën, siç thotë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, është arritur konsensusi që në fillim, të cilin, sipas tij, PDK-ja nuk po e respekton.

Ndryshe nga PDK-ja e LDK-ja, AAK-ja e Ramush Haradinajt nuk shprehet e gatshme që të hyjë në zgjedhje pa përfunduar procesi i reformës zgjedhore. Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi, ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve të mundshme pa përfundimin e reformës nuk do të sjellë ndonjë ndryshim dhe se keqpërdorimet e votës do të përsëriteshin.

Por zgjedhjeve të mundshme pa reformë, nuk u frikësohet Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit. Deputetja e kësaj lëvizjeje që ishte anëtare e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Albulena Haxhiu, ka thënë se “ne, me ose pa këto ndryshime, në çdo kohë jemi të gatshëm që të hyjmë në zgjedhje dhe ta mbrojmë votën e qytetarit. E theksojmë se asnjë ligj nuk lejon vjedhjen e votës, as ky që kemi aktualisht”.

Gazeta ka provuar të marrë edhe qëndrimin e Koalicionit për Kosovë të Re, lidhur me këtë çështje por shefja e Grupit Parlamentar, Myzejene Selmani, nuk ka qenë e gatshme të fliste për këtë çështje. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
11:19 / 24.05.2013
Avril Lavigne

Avril Lavigne theu barrierat për albumin e ri

Këngëtarja amerikane, Avril Lavigne, ka thyer barrierat e saj emocionale për albumin e saj të ri, që këmbëngul se e ka s...
Teknologji
22:21 / 23.05.2013
Google Voice Search rrugës për në iOS

Google Voice Search rrugës për në iOS

Google i ka njoftuar pronarët e pajisjeve të Apple, përkatësisht sistemit operativ iOS se brenda disa ditësh ata mund të ...
Ekonomi
11:58 / 24.05.2013

Qerimi shpërblen “Altima”n me 825 mijë euro

Kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës Ejup Qerimi, ka shpërblyer kompaninë kroate “Altima”, me të cil...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.