Nëna dilere arrestohet me birin e mitur
24.5 kilogramë marihuanë u sekuestruan nga policia e Gjirokastrës, teksa një nënë me djalin e saj të mitur po udhëtonte drejt Greqisë.Pas informacioneve të marra nga policia u zhvillua një kontroll i imtësishëm në makinën tip Mitsubishi me targa greke “BOK 19 66”, që drejtohej nga 38 vjeçarja Ermira Beqiraj, lindur në Elbasan dhe me banim në Volos të Greqisë.
Burime zyrtare nga policia thanë për NOA se në vijim të kontrollit të bërë rezultoi se të katër dyert ishin të mbushura plot me pako të vogla të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike.
Në total në brendësi të katër dyerve të mjetit u gjetën 173 pako të vogla në formë cilindrike, me peshë të ndryshme me një total prej 24.5 kilogramë marihuanë.
Së bashku me 38 vjeçaren udhëtonte edhe djali i saj 16 vjeç. Nënë e bir u shoqëruan në polici.
Nga hetimet e mëtejshme sqarohet se Ermira Beqiraj ishte e divorcuar dhe jetonte në Greqi me dy fëmijët e saj dhe bashkëjetonte me një shtetas grek. Mjeti me të cilën gruaja udhëtonte ishte në pronësi të bashkëjetuesit të saj.
Sakaq u vërtetua se lënda narkotike ishte blerë në një qytet të Shqipërisë së Mesme dhe se destinacioni i saj ishte Volosi i Greqisë.
Ndaj të ndaluarës materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, ndërsa djali i saj u la i lirë. /Telegrafi/