New York, policia vret burrin që kërcënoi me thikë
Policia e ka qëlluar për vdekje një 51-vjeçar në qendër të New Yorkut, në “Times Square”, pasi që burri, i cili mendohet të ketë qenë në gjendje të dehur, po mbante në duar një thikë me të cilën ka kërcënuar policët.“Ule poshtë”, i kanë bërtitur agjentët e policisë burrit që mbante thikën në dorë, në sy të qindra kalimtarëve dhe turistëve, të cilët kanë parë nga afër skenën, duke e filmuar me telekamera dhe telefona celularë.

Por burri 51-vjeçar, ka refuzuar kërkesën e agjentëve, duke vazhduar të mbante me vete armën të cilën e kishte drejtuar në drejtim të policëve.
Për ta ndaluar agjentët e kanë hedhur fillimisht me prej, por kjo nuk ka dhënë efekt.
Burri një afro-amerikan me një shall të lidhur në kokë, i identifikuar si Darrius Kennedy nga Carolina e Jugut, vazhdonte të drejtonte thikën ndoshta si shenjë mbrojtjeje ose edhe shenjë talljeje ndaj agjentëve.
E gjithë kjo skenë ndodhi në sy të kalimtarëve të shumtë, që bërtisnin dhe largoheshin me shpejtësi.
Pasi nuk i është përgjigjur thirrjeve të policisë, agjentët kanë qëlluar në drejtim të 51-vjeçarit duke e plagosur dhe pas 40 minutash ai ka vdekur në spitalin Bellevue, ku ishte dërguar për t’i shpëtuar goditjeve.

Sipas dëshmitarëve, agjentët e kanë ndaluar burrin në zonën e mbipopulluar të “Times Square” dhe në momentin që policia i ka kërkuar dokumentet, ai ka nxjerrë në drejtim të tyre një thikë.
Dhe në këtë pikë filloi edhe konflikti mes policisë dhe 51-vjeçarit, konflikt që përfundoi me vdekjen e këtij të fundit. /Telegrafi/