Nishani: Ju rrëfej jetën time

23:02 / 16.06.2012

Nga biblioteka e të atit, kur ishte vetëm 13 vjeç, shkëputi “Ana Kareninën” e Leon Tolstoit...Pasi kishte lexuar gjysmën e librit, djali mbeti keq para babait kur nuk mundi t’i shpjegonte kuptimin e novelës, stilin realist, tregimin për familjet aristokrate në Rusi më shumë se një shekull më parë dhe, si personazhi Ana Karenina u inspirua nga motra e Aleksandër Pushkinit, Maria Hartung...Por sot, ai fëmija i vogël me emrin Bujar Nishani, është Presidenti i ri i Republikës. Në këtë rrëfim për “Gazeta Shqiptare”, për herë të parë, kreu i ri i shtetit, tregon anën e panjohur, pasionet e tij, lidhjen e fortë me familjen, përballimin e sëmundjes, operacionin 2 orë në Helsinki dhe kurimin me paracetamol e ushtrimin me not. Nishani zbulon surprizat e para kur u zgjodh president, dhuratën e veçantë të prindërve, fëmijërinë mes librave, njohjen me bashkëshorten Odeta, si u shndërrua miqësia në dashuri, reagimi i djalit dhe si e bllokoi llogarinë FB, ambiciet e tij për politikën dhe indiferenca e Fionës 13-vjeçare.

GSH:Z.President, urime dhe suksese për detyrën e re. Cili është ai mesazh që ju entuziazmoi më tepër në momentin që u votuat në parlament?

Nishani: Faleminderit! Sigurisht reagimi i parë, madje më ka ardhur në telefon, ka qenë ai i bashkëshortes, Odetës, e cila e kishte ndjekur përmes medias procesin e votimit. Ajo i kishte rënë disa herë telefonit por i kishte dalë i zënë. Më pas, në morinë e urimeve të shumta që kam marrë ka qënë dhe ajo e tim biri, i cili studion në Vjenë prej dy vitesh. Djali, që është 17-vjeçar, padyshim ndjente një ndjenjë kënaqësie për vlerësimin që merrte i ati. Më ka lënë mbresa një batutë e tij, që nuk më ishte drejtuar me atë zhargon asnjëherë, por e pashë që ishte shumë i sinqertë duke më thënë: “Bravo babi, arrite majën më të lartë…”

GSH: E njëjta gjë ishte edhe për prindërit tuaj, apo jo? Si ndjenë ata? Zakonisht nuk mungojnë dhe porositë në ngjarje të tilla të rëndësishme në jetën e fëmijëve…

Nishani: Nuk kam pasur asnjë porosi të veçantë, përveç një tufe me lule, tepër e veçantë, që dy prindërit e mi erdhën dhe ma dhuruan në shtëpi, dhe urimi përmes emocioneve që ata kishin. Ishte shumë e papritur dhe për ta dhe ndjenjën pozitive që do ta kishte çdo prind për djalin e tyre. Por porosi të veçantë nuk ka pasur, ndoshta edhe për vetë raportet që unë kam vendosur gjatë gjithë kohës me familjen time. Asnjëherë unë nuk kam lënë hapësira për të dhënë porosi, qoftë familjes apo të afërmve për sa i takon punës.

GSH: Keni qenë ju që keni vendosur për herë?

Nishani: Për sa i takon pjesës profesionale, unë orientohem vetëm nga ajo unë e kam përgjegjësi institucionale.

GSH: Nuk keni nevojë për këshilltarë, vendosni vetë?

Nishani: Natyrisht, marrjen e vendimeve e bëj në konsultim, vetëm me bashkëpunëtorët e mi të punës dhe profesionit.

GSH:Kush ka qenë dhe është këshilltari juaj më i mirë?

Nishani: Kam pasur disa këshilltarë.

GSH: Po dy vëllezërit tuaj, si e pritën zgjedhjen presidenciale?

Nishani: Natyrisht që e kanë pritur shumë mirë. Të dy vëllezërit janë pjesë e administratës publike prej vitesh, por njëri prej tyre tashmë është i lidhur me fushën e drejtësisë, dhe përgjegjësia e tij rritet shumë më tepër. E njoh veten një njeri krejt normal, pa gjëra të veçanta. Natyrisht që pjesa më e rëndësishme e jetës sime ka qënë familja; aty ku gjej qetësinë pas një ngarkese në punë.

GSH: Kam dëgjuar se shkoni shpesh në Valbonë. Ku pushoni zakonisht me familjen?

Nishani: Shkoj edhe në Valbonën që përmendni ju, në Pogradec, më pëlqen Bogova, por ushtroj tashmë edhe notin në pishinë. Nuk kam pasur kohë të merrem me hobe të tjera, edhe për shkak të ngarkesës së punës. Natyrisht që ndjek me orare të gjata të gjitha mediat dhe pa përjashtim të gjitha kanalet televizive.

GSH: Këtë e bënit edhe para se të merreshit me politikë?

Nishani: Edhe me parë e kam bërë një gjë të tillë; kam pasur dhe kam shumë vëmendje ndaj medias.

GSH: Pse gjithë kjo vëmendje, mos ka qenë ëndrra juaj gazetaria?

Nishani: Nuk kam pasur asnjë objektiv për t’u bërë gazetar, por e kam pasur pasion që të shkruaj në gazetë dhe sa herë e kam pasur mundësinë jam përpjekur të mbetem i angazhuar, qoftë në analizat dhe opinionet e ndryshme.

GSH: Jeni mik i librit? Si i keni raportet me të?

Nishani: Për hir të së vërtetës, jo aq shumë sa kam qënë deri para 5 vitesh, pasi atëherë kisha më tepër kohë për të lexuar. Ditët e fundit kam pasur në dorë librin e Eduard Baladyrit që quhet “Makiaveli në demokraci”, të cilin po e rilexoja.

GSH: Makiavelin…?

Nishani: Po, “Makiavelin në demokraci”, po e rilexoja.

GSH: Pse ju ka tërhequr kaq shumë?

Nishani: Flet për shumë personalitete shtetërore dhe për karakterin që duhet të ketë një figurë publike. Por nuk ka të bëjë me praktikat e Makiavelit, pasi libri i Baladyrit është diçka krejt tjetër, është një aset shumë i mirë, ka të bëjë kryesisht për njerëzit që merren me politikë. Ky është libri i fundit që po lexoja. Në fakt po e rilexoja dhe këto ditë për hir të së vërtetës nuk kam pasur kohë të lexoj një libër. Por kam pasur mundësinë të më vinin shumë libra këto ditë.

GSH: Pse, nga ju vinin librat, nga i merrni?

Nishani: Ime shoqe, duke e ditur dëshirën time, merr përherë botimet e fundit.
GSH: …Jua blen ajo?

Nishani: Po, shpeshherë i merr vetë ajo, por blen edhe me porosinë time. Kur merr informacion për një botim të mirë, nuk pyet, shkon dhe e blen në librari.

GSH: Kush është autori juaj më i preferuar?

Nishani: Për mua mbetet Kadare; është një figurë e madhe që e pëlqej, ashtu siç mund të flas për autorë të tjerë shqiptarë, emra të tjerë, siç janë Kongoli, Agolli, Zija Çela, që janë pena të rënda të librit.

GSH: Po nga shkrimtarët e huaj, kush ju ka magjepsur më shumë?

Nishani: Tek unë kanë lënë mbresa shkrimtarë me famë botërore, si Dikensi. Është një autor me të cilin kam pasur mjaft raste që të jem në kontakt me të. Padyshim pëlqej edhe Markezin, por edhe emra të rëndë të historisë botërore, që kanë lënë mbresa të pashlyera tek unë.

GSH: Ishit po kaq i magjepsur pas librit edhe kur ishit fëmijë?

Nishani: Në fëmijërinë time jam marrë me pjesën e librave të aventurës. Im atë ka pasur një bibliotekë, në atë kohë konsiderohej e pasur për librat e kohës. Madje mbaj mend, kam qënë 13 vjeç mesa më kujtohet, dhe mora nga biblioteka e tij “Ana Kareninën”. Për hir të së vërtetës nuk kuptova asgjë, ishte e vështirë për atë moshë, por më tërhoqi kur e pashë në bibliotekën e babait. Mbaj mend se kur arrita në gjysmë të librit, im atë më pyeti: Si po të duket? Por unë nuk dija çfarë t’i thosha, pasi nuk kisha kuptuar asgjë.

GSH:Një fëmijë i prapë, apo “djali i mamit”?

Nishani: Nuk kam qenë as fëmijë aventurier dhe as fëmijë shumë i urtë. Kam ruajtur gjithmonë një pozicion, le të themi të një lloj identiteti të veçantë. Dëshiroja të kisha identitetin tim. Kam qenë gjithmonë i respektuar nga shokët, por dhe kam ofruar respekt.

GSH: Donit të ishit gjithmonë i pari?

Nishani: Nuk mund të them autoritar, por nëse organizoheshim në grup, si fëmijë që ishim, unë gjithmonë ose në shumicën e rasteve gjendesha në atë të drejtuesit të grupit, qoftë kur luanim futboll apo lojëra të tjera. Shpeshherë kam pasur atë që, shokët më zgjidhnin për të qenë në krye të grupit. Grupi kishte një sulmues, ose kapiten ekipi dhe shpeshherë unë e luaja këtë rol.

GSH: Si jeni njohur me Odetën, bashkëshorten tuaj?

Nishani: Jemi njohur në Durrës, gjatë verës. Familja e bashkëshortes sime ka jetuar kryesisht, para Luftës së Dytë Botërore, në Durrës. Janë me origjinë nga Gjakova. Disa të afërm të saj vazhdojnë të qëndrojnë në Durrës dhe ne kemi pasur njohje familjare me ta. Të afërmit e mi kishin njohje familjare me të afërmit e Odetës. Jemi njohur në këto takime.

GSH: Si ia shprehët dashurinë?

Nishani: Ka qenë një miqësi që lindi në mënyrë të natyrshme dhe më pas takoheshim shpesh. Unë në atë kohë isha pedagog në Akademinë Ushtarake, ndërkohë, Odeta studionte për Inxhinieri Ndërtimi. Takoheshim shpesh e më shpesh. Takimet erdhën duke u shpeshtuar dhe dashuria erdhi në mënyrë shumë të natyrshme, sepse te dy njerëz që rrinë dhe konsumojnë kohë me njëri-tjetrin, natyrisht që dhe qasja vjen normale.

GSH:Pra, s’kishte vend për “naze” nga ana e Odetës?

Nishani: Jo, nuk ka qenë një refuzim, sepse nuk ka qenë një propozim me shikim të parë, apo i menjëhershëm. Ka qenë një miqësi që erdhi duke u forcuar.

GSH: Kur u bëtë dhëndër?

Nishani: Jam martuar në moshën 28-vjeçare, ndërkohë që Odeta ishte 22 vjeçe.

GSH: Kush ju “vesh”, vetë apo Odeta?

Nishani: Jo rrallë kam pasur dhe kam sugjerime të bashkëshortes, por gjithmonë në punë jam unë ai që vendos për atë që do të vesh, apo do të marr. Na përputhen në të shumtën e rasteve shijet. Nuk jam i prirur për të bërë vetë shoping. Madje, shpeshherë ime shoqe blen këmishët apo kostumet, kollaret apo këpucët, komunikojmë në telefon. Më pyet në telefon duke më treguar se si është ajo që ka vendosur të blejë dhe nëse më përputhet i them: Dakord, blije...

GSH: Vishni rroba të shtrenjta?

Nishani: Jo, asnjëherë nuk kam pasur ekzagjerime. Nuk kam pasur prirje për ekzagjerime në veshje, mjafton që veshja të jetë korrekte dhe normale, dhe natyrisht jo shumë e shtrenjtë.

GSH: Rrobat, i blini kryesisht jashtë, apo në Shqipëri?

Nishani: Kam blerë dhe jashtë kur kam pasur mundësi. Sigurisht që kam shfrytëzuar rastet për të bërë dhe shoping. Por në tërësi veshjen e blej këtu në Shqipëri, por edhe jashtë kam bërë blerje.

GSH: Çfarë është për ju ushqimi, e teproni me të?

Nishani: Ushqimi për mua është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime në familje. Në aspektin e rregullit, ne kemi jo një dietë, por kemi një rregull të ushqyeri për të shmangur le të themi, pjesën që rëndon shëndetin, si yndyrat, etj. Baza e ushqimit tonë janë zarzavatet dhe frutat. Nuk është se konsiderojmë sasi të madhe ushqimi, aq më tepër që vetë mosha e sotme kërkon që të jesh i kujdesshëm me ushqimin. Ndaj, asortimentet që konsumojmë në përgjegjësi janë zarzavatet dhe frutat. Konsumoj shumë pak mish. Më shumë konsumoj mishin e pulës.

GSH: Konsumoni alkool?

Nishani: Jo, nuk e konsumoj alkoolin. Vetëm me përjashtim të verës, të cilën e pijmë ndonjëherë në fundjavë me miqtë dhe shokët.

GSH: Kush e bën pazarin e shtëpisë, ju apo bashkëshortja?

Nishani: Në fakt, para se të bëhesha ministër i Brendshëm e bëja unë gjithmonë pazarin. Pasi u bëra ministër nuk kam bërë asnjë ditë pazar dhe që atëherë pazarin e bën bashkëshortja. Kjo, jo për ndonjë “namuz”, por thjesht për shkak të kohës.

GSH: Dini të gatuani?

Nishani: Më përpara kam gatuar, sidomos supa me zarzavate ka qenë e preferuara ime.

GSH:Po muzika, ju pëlqen?

Nishani: Më pëlqejnë dokumentarët historikë; më pëlqejnë pasi kanë një diapazon të gjerë, të jetës, të shoqërisë. Nuk konsumoj shumë kohë me to, pasi kohën jo gjithmonë e kam pasur të plotë. Sa i përket muzikës, për mua mbetet një idhull Andrea Boceli, të cilin shpeshherë e dëgjoj mbrëmjeve.

GSH: Më thuaj momentin më të bukur të jetës, që nuk e harroni asnjëherë?

Nishani: Momenti më i bukur, sigurisht ka qenë lindja e djalit dhe e vajzës. Kanë qenë momente të paharrueshme dhe kam qenë ndër të parët njerëz që i kam parë dy fëmijët e mi. Djali ka lindur në Elbasan, pasi atje jetonte familja, ndërsa vajza në Durrës.

GSH: Hytë në sallën e lindjes?
Nishani:
Jo, nuk kam hyrë në sallën e lindjes, por kam qenë personi i parë që kam vajtur dhe i kam parë të dy fëmijët. Flas nga familja. Djali është 17 vjeç sot, ndërsa vajza është 13 vjeçe.

GSH: Djali, e ndjek politikën? Shfaq dëshirë që t’i ngjajë të atit në këtë drejtim?

Nishani: Po, e ndjek politikën. Është shumë atdhetar, në kuptimin që ka një ndjesi të veçantë në mbrojtjen e nacionalitetit edhe atje ku është, dhe e promovon gjithmonë Shqipërinë dhe politikën e ndjek prej kohësh. Madje në faqen e tij në ‘Facebook’, kishte të publikuar flamurin kombëtar, i cili, që mos t’ia merrnin të tjerët, e bllokoi fare. Nuk e di se sa ka ndikuar qenia ime në politikë, por nëse bëj dallimin edhe me vajzën, e cila është krejtësisht indiferente ndaj politikës, djali është shumë më tepër i nxitur pas zhvillimeve politike.

GSH: Ka ambicie për të ndjekur rrugën e të atit?

Nishani: Natyrisht, nuk mund ta parashikosh me siguri, por deri tani nuk është se ka shprehur ndonjë ambicie të tillë, por ndoshta, ndryshe nga moshatarët e tij ka informacion për zhvillimet politike edhe përtej Shqipërisë. Gjithsesi, ai është akoma në shkollë të mesme, në kolegj në Vjenë, me prirje për shkencat ekzakte.

GSH:…Dhe momenti më i vështirë i jetës?

Nishani: Nuk është se ka pasur një moment të veçantë, një çast më tronditës nga të gjithë të tjerët, por në Ministrinë e Brendshme ky moment ka qenë rënia në krye të detyrës të 4 oficerëve të policisë. Ka qenë një moment shumë i trishtuar në jetën time. E kam përjetuar shumë thellë.

GSH:Sa shqetësues është problemi juaj shëndetësor dhe realisht për çfarë sëmundjeje bëhet fjalë?

Nishani: Për sa i përket problemit tim shëndetësor, e shikoj veten në dy aspekte. Aspekti i parë ka të bëjë me transparencën. Jo vetëm që nuk e keqkuptoj, që nuk e paragjykoj nga media që e trajtoi, por përkundrazi është një gjë krejt normale për sa kohë bëhet fjalë për Presidentin e Republikës. Kjo, për faktin se qytetarët duan të jenë të sigurt që kanë për President një individ të shëndoshë, që merr vendime të sakta dhe nuk do ta ketë të vështirë që për shkak të shëndetit të marrë vendime apo të ushtrojë përgjegjësinë e tij përmes aktiviteteve. Unë ju garantoj se nuk ka asgjë në lidhje me shëndetin për sa i takon aspektit shkencor, por ka një problem estetik të jashtëm, që ka ardhur si pasojë e një ndërhyrjeje delikate kirurgjikale, e cila ka qenë e paralajmëruar nga ekipi mjekësor që do të ndodhte.

GSH: Çfarë do të thotë “ka qenë e paralajmëruar”?

Nishani: Problemi, i cili bëri të domosdoshëm ndërhyrjen kirurgjikale, ka qenë një problem i lindur, por që nuk pati dhënë asnjëherë asnjë shenjë. Dhe për të mos e pasur si një potencial të mundshëm rreziku, m’u rekomandua që të kryeja këtë operacion. Pas operacionit më thanë që do të kesh këtë pjesë të vështirësisë së lëvizjes për një periudhë të caktuar kohe, e cila vjen duke u rehabilituar deri në rigjenerimin e plotë. Por kjo nuk më ka penguar, absolutisht nuk kam asnjë problem të brendshëm shëndetësor, nuk ka asnjë rrezik për të pasur një problem shëndetësor, pra gjithçka ka kaluar. Nuk më ka penguar në funksionet e mia; veçanërisht si ministër i Brendshëm më është dashur të punoj mbi 12-15 orë në ditë, të përballoj situata të vështira të motit të terrenit dhe tensionit social në situata të ndryshme, kështu që nuk ka vend për asnjë shqetësim. Natyrisht, unë nuk të vrapoj apo të bëj lojëra të tilla, por nuk më pengon aspak të marr pjesë në aktivitete, ashtu siç nuk e kam pasur të vështirë deri tani.

GSH: Cili është ndryshimi, krahasuar me situatën e parë shëndetësore? Çfarë ju kanë thënë mjekët?

Nishani: Sigurisht, ka një ndryshim të madh gjatë këtyre tre viteve në vijim, dhe mbetet ende një periudhë e vogël, e cila ka nevojë të vazhdojë dhe nuk do të jetë më si problem apo për t’u identifikuar si problem estetik.

GSH: Me çfarë kuroheni, vazhdoni fizioterapinë?

Nishani: Unë ushtroj në mënyrë perfekte notin. Aktualisht kam shfrytëzuar ambientet e pishinës “Kastrati” në Vorë.

GSH: Do vazhdoni të notoni edhe tani që jeni president?

Nishani: Patjetër! Presidenti në radhë të parë është njeri.

GSH: Ku jeni mjekuar dhe ku e keni kryer ndërhyrjen kirurgjikale?

Nishani: Unë jam mjekuar në Helsinki të Finlandës, aty kam kryer ndërhyrjen kirurgjikale. Jam operuar në spitalin shtetëror të Helsinkit. Nuk kam pasur mjekim. Tani po ju tregoj një informacion, për herë të parë dhe konfidencial: Që pas daljes nga operacioni dhe deri ditën që qëndrova në ambientet e spitalit, i vetmi medikament si kurë ka qenë paracetamoli. Operacioni ka zgjatur vetëm dy orë, me gjithë pjesën e parapërgatitjes dhe të anestezisë. Ndërhyrjen e kam bërë në kokë.

GSH: Kush ju qëndroi pranë, gjatë kohës që operoheshit në kokë?

Nishani: Ka qenë nëna ime, Odeta, vëllai dhe kunati, që më kanë shoqëruar.

GSH: Pse pikërisht rekomandimi për operacion, në Helsinki?

Nishani: Ka qenë një rekomandim i doktor Mentor Petrelës me disa kolegë të tij të njohur në fushën e neurokirurgjisë. Gjithsesi, pas operacionit kam qëndruar edhe 5 ditë në spital dhe jam kthyer në Tiranë, dhe pas tre javësh kam dalë në punë.

GSH: Konkretisht, kush ishte ky defekt që ju krijoi problemin shëndetësor?

Nishani: Ka qenë defekti i enëve të gjakut të ngjitura me njëra-tjetrën. Ky korrigjim ka qenë, por ishte në vend delikat ndaj dha këtë pasojë, e cila besoj shumë shpejt do të rikuperohet, sipas mjekëve. Thjesht nuk kam marrë dhe nuk marr asnjë mjekim, me përjashtim të ndonjë paracetamoli për shëndetin. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.