Nishani takoi shefen e diplomacisë qipriote
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Qipros, Erato Kazakou-Marcoullis, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në kuadër të Presidencës qipriote të Bashkimit Evropian.Presidenti Nishani e vlerësoi vizitën e ministres Marcoullis si shumë të rëndësishme dhe si një mesazh inkurajues për procesin e reformave integruese të Shqipërisë, njoftojnë mediat.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Qipros, Erato Kazakou-Marcoullis vuri në dukje se një nga prioritetet e Presidencës qipriote është zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe se Shqipëria ndodhet në qendër të vëmendjes, duke theksuar se vizioni i zgjerimit është një nga parimet e Komisionit Evropian, i cili është provuar i suksesshëm edhe në momente krize. /Telegrafi/