Numri i të burgosurave në Kosovë, si asnjëherë më parë

15:49 / 29.03.2013

Në Kosovë, kohëve të fundit, është shtuar numri i të paraburgosurve. Në këtë rritje bie në sy rritja e numrit të femrave të burgosura, të cilat, aktualisht, kanë numrin më të madh në historikun e burgjeve të Kosovës. E kur është folur se sa i kushton buxhetit të Kosovës mbajtja e një të burgosuri, është thënë se në ditë harxhimet sillen nga 22 deri në 28 euro. Sa i përket burgut të sigurisë së lartë, i cili pritet të përurohet më 1 shtator të këtij viti, për 130 vende pune, kanë konkurruar 4 mijë persona.

Këto kanë qenë disa nga informatat që janë dhënë të premten gjatë një konference për media, nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të Kosovës, Resmi Hoxha si dhe drejtori i burgut të Sigurisë së Lartë, Naim Maloku, raporton KosovaPress.

Resmi Hoxha ka thënë se ka pasur shumë të interesuar që të punësohen si oficerë korrektues në burgun e Sigurisë së Lartë.

Thotë se nga 4 mijë sa kanë konkurruar, të dielën do t’i nënshtrohen testit me shkrim 2 mijë e 313.

Hoxha ka thënë se ka qenë goxha vështirë të formojnë një komision profesional për testin e gjithë atyre që kanë kandiduar, ngase ka pasur shumë interesim.

Në Kosovë llogaritet të jenë diku rreth 1 mijë e 800 të burgosur e që për një të tillë, Kosova shpenzon nga 22 euro deri në 28 brenda një dite.

Në anën tjetër drejtori i burgut të Sigurisë së Lartë, Naim Maloku ka thënë se më 1 shtator do të prehet shiriti i këtij burgu, ngase, sipas tij, 70% e punimeve kanë përfunduar.

“Jemi në fazën e përgatitjeve për të porositur pajisje, ndërsa sa i përket punimeve mbi 70% e punëve ndërtimore janë përfunduar në të gjitha objektet dhe mendojmë që më 1 shtator të këtij viti do të prehet shiritit i atij institucioni dhe do të jetë i pajisur komplet dhe besojmë që edhe oficerët korrektues do të jenë të gatshëm t’i kryejnë trajnimet dhe do të jenë të gatshëm për këtë”, ka thënë ai.

Llogaritet që me përfundimin e këtij burgu që është sipas standardeve më të larta botërore, do të ketë kapacitet për mbi 300 të burgosur dhe do të ketë standarde të larta jo vetëm për periudhën e kaluar në burg, por do të ketë edhe shërbime të tjera që është në përputhje me të gjitha nevojat dhe të drejtat e njeriut. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.