Nushi: Shteti nuk po funksionon

15:29 / 22.06.2013

Partia Social Demokrate, ka hedhur kritika të ashpra në adresë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke thënë se po rrinë indiferentë ndaj raporteve të fundit ndërkombëtare që paraqesin vendin tonë një ndër vendet me shkallë të korrupsionit më të lartë në rajon dhe vendin ku çdo herë po shënon rënie liria e qytetarit.

Kryetarja e PSD-së, Majlinda Nushi, gjatë një konference për media të mbajtur të shtunën, ka paraqitur vizionin e partisë që ajo drejton, duke thënë se Social Demokratët, kanë zgjidhje adekuate për t’i tejkaluar problemet që aktualisht janë prezentë në vendin tonë.

Ajo ka shpalosur punën dhe angazhimin e saj, prej kur është zgjedhur në krye të PSD-së, pas aderimit të Agim Çekut në PDK, duke përmendur disa vizita që i ka bërë në disa institucione të rëndësishme evropiane.

Duke komentuar situatën politike dhe ekonomike në vend, Nushi ka shprehur shqetësimet e PSD-së, për raportet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Raportin e “Freedon House”, që sipas saj paraqesin një gjendje të rëndë socio-ekonomike në vend, duke mos përjashtuar as atë politike.

“Mosfunksionimi i shtetit në aspekt të ligjshmërisë, pastaj, raportet e fundit për Kosovën ngrenë shqetësime edhe më serioze duke na prezantuar si shtet me shkallë të lartë korrupsioni. Nuk ka fare transparencë e të mos flasim për shkallë reciprociteti diplomatik dhe politik mes Serbisë dhe Kosovës. Marrëveshja me Serbinë na obligon të gjitha partive të kemi deklarim pozicional të qartë që pesha e përgjegjësisë të rezultojë bindshëm në ndërgjegjen tonë qytetare e shtetërore. Mjerisht kjo nuk po ndodhë”, ka thënë ajo, transmeton Kosovapress.

PSD, nuk është e kënaqur as me reformën zgjedhore, duke kritikuar partitë parlamentare, se po marrin vendime që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Me reformën zgjedhore përgjithësisht nuk jemi të kënaqur. Pikësëpari dua të ceki se ne nuk jemi të përfshirë në diskutime për reformën dhe e dyta është keqvajtja e procesit në tërësi ku partitë e mëdha janë ato që marrin vendime autarkike duke shkelur me dy këmbë mbi lirinë, demokracinë dhe vetë Kushtetutën. Ne jemi në proces e sipër të përgatitjes së platformës zgjedhore, por nuk jemi të kënaqur me zhvillimet aktuale në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Kaqusha Jashari, nënkryetare e PSD-së, duke komentuar marrëveshjen e arritur në Bruksel mes kryeministrit Hashim Thaçit dhe atij serb Ivica Daqicit, ka pohuar se PSD-ja përkrahë këtë marrëveshje, por edhe dialogun që po vazhdon, mirëpo konsideron se ky dialog nuk po përmirëson jetën e qytetarëve shqiptarë, por as atyre serb.

“Serbisë i duhet që të anëtarësohet në BE dhe ajo po pret një shpërblim për t’i nisur negociatat për anëtarësim. Ndërsa për neve është shumë me rëndësi se duhet t’i nisim negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Mendojmë se negociatat deri më tani nuk kanë arritur të kuptohen si domosdoshmëri apo nevojë për të mirën e qytetarëve, qoftë shqiptarëve apo serbëve në Kosovë, e po ashtu edhe serbëve në Serbi”, ka thënë ajo.

Drejtues të PSD-së, me këtë rast kanë bërë të ditur se janë duke u përgatitur për zgjedhjet komunale dhe ato parlamentare, duke formuar degë dhe nëndegë të reja nëpër komuna dhe shprehen bindjen se pragun prej pesë për qind do ta kalojnë pa problem.

PSK, shpreson se zgjedhjet e ardhshme do të amortizojnë mbisundimin e partive të mëdha, duke shkuar drejt balancimit të forcave politike, çka sipas drejtuesve të saj, do të ishte mirë edhe për demokracinë dhe vet shtetin e Kosovës. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.