Pas super-stuhisë që ka vrarë së paku 64, jeta në verilindje të SHBA-ve po i kthehet normalitetit. Banorët e prekur nga stuhia i ka vizituar edhe presidenti amerikan, Barack Obama.
"Zemrat tona janë me familjet që humbën të dashurit e tyre. E vërteta është se për shkak të një përgatitjeje të mirë, numri i viktimave është më i vogël seç ka mundur të jetë”, ka thënë Obama. për të shtuar se punët e mëdha janë para tyre.
Obama tha se dëmtimet nuk do të riparohen brenda natës, por se puna do të përfundojë. Pamjet e shkatërrimit presidenti i ka parë nga helikopteri, i cili ka fluturuar mbi shtetin New Jersey. Duke iu drejtuar kombit ai tha se riparimi i dëmeve do të bëhet në bashkëpunim me të gjitha shtetet amerikane dhe qeveritë lokale.
"Kam dhënë urdhra të prerë që administrata të eliminojë pengesat burokratike", tha Obama, duke shtuar se ka paraqitur "rregullin 15 minutësh".
"Kushdo që na thërret, guvernatori, kryetari i bashkisë, ne do të lajmërohemi me përgjigje për më së shumti 15 minuta”, ka thënë ai, duke shtuar se në mendime dhe lutje është me të gjitha ata që i ka prekur kjo fatkeqësi.
Një pjesë e mirë e amerikanëve të prekur nga stuhia i janë kthyer punës. Pas pauzës dyditore dyert i ka hapur edhe bursa në New York, “Wall Street”. Problemin më të madh momentalisht po e shkaktojnë hajnat që janë nisur në një “kryqëzatë” vjedhjesh nëpër dyqanet e mbyllura. Deri tash janë arrestuar dhjetëra njerëz.
Guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo, ka thënë se amerikanët me “gjenerata të tëra nuk kanë dëshmuar për stuhi të kësaj përmase të dëmeve”. Ai njoftoi se së shpejti do të jetë hapet transporti i pjesshëm në metro. Tramvajet dhe autobusët që nga dita e sotme pritet të nisin qarkullimet.
Sipas deklaratave zyrtare, “Sandy” në New York ka shkaktuar dëme që nuk janë hasur në 108 vitet e fundit. Tunelet e metrosë janë përmbytur, ndërsa dëmi i përgjithshëm është vlerësuar në rreth 30-40 miliardë dollarë.
Vetëm në qytetin e New Yorkut janë vrarë së paku 22 vetë, nga totali i përgjithshëm prej 64 personash të vrarë në SHBA. /Telegrafi/
Komente
Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.