OKB kërkon më shumë ndihma për Sirinë
Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për më shumë ndihma humanitare në Siri. Zëvendësi i sekretarit të përgjithshëm, Jan Eliason, ka thënë se gjatë muajit korrik ndihmat u janë shpërndarë 820.000 personave, krahasuar me 250.000 në muajin prill.Ai po ashtu ka thënë se propozimet për të krijuar zona të sigurta në Siri do të shqyrtohen me kujdes.
Eliason i ka bërë këto komente gjatë takimit të ministrave të jashtëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili është fokusuar në krizën humanitare në Siri, njofton “Evropa e Lirë”.
Analistët thonë se mungesa e diplomatëve të lartë nga SHBA-ja, Rusia dhe Kina ka vënë në pah bllokadën e këtij organi për mënyrën si t’i jepet fund konfliktit.
Të paktën 200,000 sirianë kanë lënë vendin prejse ka nisur kryengritja kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad në mars të vitit të kaluar.
Rreth 3 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit. /Telegrafi/