Operacioni “Tetori 2012” prangos disa persona për armëmbajtje
Njësia e hetimeve kundër trafikimit me qenie njerëzore në Prishtinë në bashkëpunim me inspektorët komunalë Fushë-Kosovë, gjatë një aksioni të koduar “Tetori 2012”, mbrëmë ka kontrolluar shtatë lokale të dyshuara për prostitucion dhe veprimtari tjera të kundërligjshme me ç’rast ka arrestuar disa të dyshuar.Policia, përveç për arrestimin e disa personave për armëmbajtje, njoftoi se gjatë kontrollimit të dokumentacionit të stafit punues dhe pronarëve, janë vërejtur parregullsi të dokumentacionit dhe lidhur me këto çështje nga ana e inspektorëve komunalë pronarëve të këtyre lokaleve u është shqiptuar masa ndëshkimore me gjobë dhe dy nga këto lokale janë mbyllur.
Policia ka intervistuar të gjithë punonjësit e këtyre lokaleve, duke përfshirë edhe pronarët, si dhe ka legjitimuar punëtorët, mirëpo nuk janë gjetur elemente që ata janë duke u keqpërdor nga pronarët e lokaleve apo nga ndonjë person tjetër.
Gjatë legjitimimit dhe kontrollimit të personave të pranishëm në njërin nga këto restorante, i cili gjendet në qytetin e Fushë-Kosovës, janë gjetur 3 armë zjarri: 1 revole TT, me një karikator dhe gjashtë fishekë, 1 pistoletë “Zastava” me një karikator dhe një fishek dhe 1 revole me kalibër 22 mm "Magnum", prodhim gjerman.
Lidhur me këtë rast është njoftuar njësiti i hetimeve të stacionit policor Fushë Kosovë dhe të njëjtit kanë dal në vend ngjarje me ç’ rast kanë arrestuar personat e dyshuar, tek të cilët janë gjetur armët ndërkohë që armët e gjetura janë konfiskuar. /Telegrafi/