Opozita kërcënon me bojkot të zgjedhjeve 2013
Opozita në Maqedoni ka kërcënuar se do të bojkotojë zgjedhjet e vitit 2013, në qoftë se nuk bëhen ndryshimet e Kodit zgjedhor dhe pastrimin e listave zgjedhore. Kështu ka deklaruar dje lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, i cili në një konferencë për mediat pas votëbesimit që siguroi Qeveria aktuale, doli dhe kërkoi ndryshimin e Kodit zgjedhor dhe pastrimin e listave zgjedhore nga votuesit fiktiv.“Apelojmë që pushteti në afat prej disa ditëve të dorëzojë pranë Parlamentit ndryshimet e Kodit zgjedhor dhe të pastrojë listat zgjedhore, me ç`rast menjëherë mund të qasemi drejt organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në rast se nuk bëhen ndryshimet e kërkuara , atëherë socialdemokratët dhe opozita maqedonase do të bojkotojë zgjedhjet”, deklaroi Cërvenkovski.
Qëndrimi i PDSH është se diskutimi për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është i kotë sepse ende asgjë nuk bëhet në drejtim të pastrimit të listës zgjedhore.
"Patjetër duhet të ketë të dhëna të sakta për të gjitha personat të cilët kanë të drejtë vote. Pse pushteti nuk bën regjistrim dhe kur do ta bëjë atë?", ka theksuar deputeti i PDSH-së, Zijadin Sela.
Në radhët e kësaj partie theksojnë se janë të gatshëm për tu ballafaquar në zgjedhje dhe se duke kërkuar zbatimin e rekomandimeve të OSBE – ODIHR për Kodin Zgjedhor dhe parregullsitë e tjera që mund të evitojnë dyshimet për manipulimin e zgjedhjeve.
RDK gjithashtu shpreh mëdyshje për modelin e propozuar nga Qeveria për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke theksuar se ai ka shumë mangësi dhe nuk eviton votuesit fiktiv nga listat zgjedhore.
“Me ndryshimet sipërfaqësore të kodit zgjedhor nga ana e mazhorancës, ne nuk do të kemi zgjedhje fer dhe të drejta dhe ashtu siç janë kërkesat e OSBE-së. Nëse shkojmë në zgjedhje pa pastrimin e listave të votuesve ne do të kemi një krim zgjedhor”, ka theksuar deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri, duke nënvizuar se pa ndryshimin e kodit, janë të arsyeshme kërkesat për bojkotim të zgjedhjeve.
Sipas analizave dhe vërejtjeve të partive politike opozitare, numri i përgjithshëm i popullatës në vitin 2002 në Maqedoni duke iu referuar regjistrimit të këtij viti, ka qenë 2.022.547 banorë. Popullatë nën moshën 18 vjeçare ka qenë 591.702. Njerëz me të drejtë vote kanë qenë 1.430.845, kurse votues në 2002 kemi pasur 1.664.296, që do të thotë se ka pasur 233.448 votues më tepër dhe nënkupton faktin se ka më pak popullatë se sa votues.
Deputeti i RDK, Izet Zeqiri përmes një analize ka sjellë edhe të dhëna që nxjerrin mbi 233 mijë votues fiktiv.
“Po të analizohen në bazë të qyteteve,shohim se në Vraneshticë 1322 banorë, kurse votues 1551. Në Debarcë ka pasur 5507, kurse votues 5598. Në Novac 3549 banorë, 3771 votues, ose për 222 më tepër. Në Resnjë 16.625 banorë, 19.048 votues, ose 2223 votues më tepër. Në Mavrovë dhe Rostushë 8618 banorë, 9084 votues. Më tregoni ju mua si do të shkojmë në zgjedhje me këtë listë të papastruar zgjedhore”, ka theksuar deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri, transmeton INA
Nga BDI theksojnë se ministria e drejtësisë ka propozuar Projekt- ligjin për ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe se ai është në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe do të jetë pjesë e debatit parlamentar, ku janë të hapura ndërhyrjet dhe plotësimet e tij.
Debatet për ndryshimet e Kodit zgjedhor vijnë në një periudhë kur vendi është pranë zgjedhjeve të ardhshme lokale në mars 2013 dhe mundësive për të mbajtur në pako edhe zgjedhjet parlamentare. /Telegrafi/