Opozita: Rishikojeni me vëmendje dokumentin

12:16 / 27.03.2013

Deputetët e opozitës në Kosovë porosisin që dokumenti tetë pikësh i zyrtares së lartë të BE-së, Catherine Ashton edhe pse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe pakon e Ahtisaarit, duhet të rishikohet më vëmendje, sepse mund të interpretohet nga pala serbe si mundësi për krijimin e pushtetit të tretë, për komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Dokumentin tetë pikësh të zyrtares së lartë të BE-së, Ashton të paraqitur lidhur me kompetencat e Asociacionit të Komunave serbe në veri, partitë opozitarë në Kosovë e vlerësojnë të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe pakon e Ahtisaarit.

Por, ata tërheqin vërejtjen që dokumenti duhet të jetë sa më i qartë dhe të mos ketë hapësirë për interpretime shumëkuptimëshe, të cilat do të mund të rezultonin me krijimin e pushtetit të tretë në Kosovë, raporton RTK.

Lutfi Haziri, deputeti i LDK-së thotë se ky dokument edhe pse është në përputhje me kërkesën e palës kosovare, sërish bart rrezikun e dhënies së pushtetit ekzekutiv për komunat serbë në veri.

“Ambiguitet konstruktiv i paraqitur në planin tetë piksësh duhet të jetë i larguar në mënyrë që të mos ketë mundësi të interpretohet në mënyrë të ndryshme. Si i tillë dokumenti përveç që bartë rrezikun e krijimit të pushtetit të tretë, nuk shoh që është konfliktoz apo problematik”, tha Haziri.

Alma Lama, deputete e Vetëvendosjes thotë se ky dokument përmban disa kompetenca shtesë për këtë asociacion që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Nuk e quaj të mirë faktin që duhet të emërohen policë e gjykatës të tjerë nga komuniteti serb, t’i jepen këto lloj kompetencash. Edhe pse vendimin përfundimtar do të duhet ta marrin institucionet e Kosovës, pavarësisht çfarëdo lloj përjashtimi në praktika apo ligje e prish karakterin unitar të shtetit”, thotë Lama.

Ahmet Isufi, deputetë i AAK-ës, vlerëson se nuk ka asgjë përtej Kushtetutës së Kosovës dhe pakos së Ahtisaarit.

“Ne konsiderojmë se elementet kryesore që janë në funksionim në Kosovë është Kushtetuta dhe plani i Ahtisaarit, të cilat janë edhe themeli i angazhimeve tona në bisedime dhe nuk duhet të tejkalohen këto“, theksoi Isufi.

Ndryshe, Serbia në raundin e tetë të negociatave me Prishtinën do të insistojë në pesë kompetenca më të rëndësishme ekzekutive për bashkësinë e komunave serbe: gjyqësorin, policinë, planifikimin hapësinor, shëndetësinë dhe arsimin.

Raundi i ri i takimeve mes Prishtinës dhe Beogradit do të mbahet më 2 prill, kur edhe pritet të ketë një marrëveshje eventuale për çështjen e veriut. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.