Pa ndërkombëtarët, integrimi i veriut i pamundur

16:41 / 27.07.2012
Për integrimin e veriut të Kosovës përgjegjësinë kryesore e kanë institucionet e vendit. Por, pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe bashkëpunimin e qytetarëve, integrimi do të jetë i vështirë, thonë përfaqësuesit e lartë të institucioneve të vendi.

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, thotë se për ndryshimin e gjendjes në veri, duhet të ndihmojë edhe faktori ndërkombëtar.

Hulumtimet e instituteve dhe organizatave të ndryshme, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, theksojnë nevojën për një mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare për institucionet kosovare, në radhë të parë në zhbërjen e strukturave paralele në veri.

Plani i Ahtisaarit, me të cilin parashihet krijimi i komunës Mitrovicës së veriut, vazhdon të jetë i pavlefshëm për serbët e veriut, që insistojnë në kundërshtimin e deritashëm ndaj të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Kuçi, në deklaratën dhënë për “Radio Evropa e Lirë” thotë se për të ndryshuar gjendjen në veri, nevojitet funksionim i përnjëhershëm i shumë faktorëve.

“E para, duhet të jenë mundësitë institucionale, pastaj mundësitë ekonomike, por gjithsesi duhet të luajnë rol edhe akterët tjerë ndërkombëtarë. Në këtë drejtim, nuk ka diçka që mund të ndryshojë në raport me Kushtetutën e Kosovës, me Planin Gjithëpërfshirës që ka të bëjë me Republikën e Kosovës dhe këtu është më shumë si logjike se si t’i drejtohet kurrizi pa e thyer, sesa që mund të jetë lëshuar pe, apo diçka tjetër”, sqaron Kuçi.

Analistët politikë vlerësojnë se kundërshtimi i serbëve lokalë ndaj autoritetit shtetëror të Kosovës, do të mbetet i njëjtë derisa në veri vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele të mbështetura nga Serbia. Ndërkaq, zyrtarët e partive politike opozitare konsiderojnë se pa hartimin e një plani nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk mund të ketë integrim të veriut.

“Nëse Qeveria e Kosovë nuk ka plan, situata në veri do të degradojë edhe më tepër, do të shndërrohet në një konflikt të ngrirë”, thotë Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. “Qeveria e Kosovës ka gabuar qe shume vjet që nuk është marrë me këtë temë. Vetëm kanë folur për këtë temë, kanë pasur deklarata e kanë ndërmarrë një aksion para një viti, një aksion njëditor, duke shpresuar që do të zgjidhet ndryshe kjo çështje. Por, nuk zgjidhet ashtu kjo çështje”.

Gjini thotë se është e qartë se pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar problemi nuk mund të zgjidhet, por, sipas tij, planet për ndryshimin e gjendjes duhet t’i bëjë Qeveria.

Nga ana tjetër, kreu i të ashtuquajturit Rrethi i Mitrovicës, Radenko Nedelkovic, thotë se mbijetesa e serbëve është kryekëput e lidhur me institucionet e Serbisë.

“Ne nuk dëshirojmë të heqim dorë nga diçka që na mundëson një jetë më kualitative dhe më të mirë, si dhe standard më të lartë . Të humbim diçka të tillë dhe të fitojmë pasigurinë?”, thotë Nedelkovic.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë vizitës së saj në Bruksel ka potencuar se tri komunat në veri të Kosovës, Mitrovica, Zubin Potoku dhe Leposaviqi ende nuk e kanë pranuar procesin e decentralizimit, por, sipas saj, deri në zgjedhjet e ardhshme komunale, për të tri këto komuna do të bëhen përpjekje të përfshihen në sistemin e qeverisjes, duke shfrytëzuar të drejtat që u jep Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
14:08 / 18.05.2013
Swedish House Mafia

Swedish House Mafia të lansojnë këngën lamtumirëse

Grupi i famshëm botëror i muzikës techno, Swedish House Mafia, kanë zbuluar se do të lansojnë një këngë lamtumirëse.
Teknologji
14:12 / 18.05.2013
Dita Digjitale e Kosovës

Dita Digjitale e Kosovës

Avancimi i biznesit me trendet më të fundit të reklamimit në internet, rrjete sociale dhe pajisje mobile ishte qëllimi i k...
Ekonomi
13:36 / 18.05.2013
Foto: Ilustrim

Cilësia e ushqimit, e varur nga zbatimi i ligjeve

Hulumtimet e bëra nga shumë organizata, përfshirë edhe Qendrën për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, që kanë analizuar...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.