Pacolli do ta vizitojë Malin për të qartësuar njohjen
E plotësuar: Pas raportimeve nëpër media lidhur me paqartësitë e krijuara rreth njohjes nga Republika e Malit, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili ndodhët në turne lobimi në kontinentin e Afrikës, do të udhëtojë përsëri në Bamako për tu takuar edhe njëherë me autoritetet shtetërore atje dhe për të sqaruar konfuzionin e krijuar.“Zëvendëskryeministri Pacolli ka qenë disa herë në vizitë në këtë shtet të madh afrikan, dhe në të gjitha rastet ka marrë mbështetje për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ashtu siç ka deklaruar edhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë, zvkm Pacolli vizitën e fundit në Mali është takuar me autoritetet ushtarake në këtë vend, pasi që qeveria qe një kohë është duke operuar në Burkina Faso”, thuhet në një komunikatë për media të Zyrës së zëvendëskryeministrit.
“Nota verbale e njohjes ka arritur javën e kaluar, e vulosur dhe e nënshkruar nga presidenti I Republikës së Malit. Ashtu siç është pranuar, nota verbal është prezentuar para opinionit publik dhe është dërguar në MPJ”.
Pas marrjes së notës verbale, ju kemi drejtuar letra falenderimi, presidentit Traore dhe eksponentëve politik të Malit, ashtu siç ndodh rëndom pas secilës njohje. Por si rezultat i këtij konfuzioni të shkaktuar, Pacolli i cili ndodhet në Afrikë, do të vizitojë sërish presidencën e Malit dhe Qeverinë në Burkina Faso”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Në një komunikatë të Presidencës së Malit, sipas Global Times, Mali nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. “Mali nuk e ka njohur Kosovën. Presidenca dëshiron kategorikisht të dënojë këtë gënjeshtër që e dëmton imazhin e Malit”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/
E paqartë njohja nga Mali!
Mali nuk e ka njohur Kosovën, thuhet në një deklaratë të presidencës së këtij shteti, raporton Global Times. Deklarata u lëshua pasi zv.kryeministri Begjet Pacolli të premten e kaluar ka kumtuar lajmin për njohje duke prezantuar notën verbale.
“Presidenca dëshiron kategorikisht të dënojë këtë gënjeshtër që e dëmton imazhin e Malit”, thuhet në deklaratë, raporton Reporteri.net.
"Rrjedhimisht, presidenca e Malit dëshiron të informojë gjithë komunitetin kombëtar dhe ndërkombëtar se presidenti nuk ka nënshkruar ende ndonjë dokument që njeh Republikën e Kosovës dhe rezervon të drejtën për të marrë masat e duhura për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e dokumentit të rreme", përfundon deklarata.
Ka qenë zv.kryeministri Begjet Pacolli që të premten ka kumtuar lajmin për njohje duke prezantuar notën verbale. Madje Pacollli prezantoi notën verbale të nënshkruar nga presidenti I Malit, Dioncounda Traore, nëpërmjet të cilës ky shtet renditet në mesin e shteteve që deri më tani kanë njohur Republikën e Kosovës. Por nota verbale duket të jetë falsifikuar në kryeqytetin e Malit ose në atë të Kosovës.
Ndërkohë ka reaguar menjëherë edhe Zyra e Pacollit. Jetlir Zyberaj, këshilltar i zv.kryeministrit Begjet Pacolli ka mohuar për KTV-në raportimet se shteti afrikan Mali nuk e ka njohur Kosovën. Ai ka thënë se këto janë raporte të nxitura nga Serbia dhe miqtë e saj.
Ai tha se për këtë nuk ka dyshime pasi nota verbale është në MPJ. Por në MPJ, raporton KTV janë duke e verifikuar a është notë verbale zyrtare dhe për këtë arsyeje nuk duan ta publikojnë njohjen në uebfaqe. Kjo sipas tyre për të mos pasur dilema sic kishte pasur me Nigerinë. /Telegrafi/