Pafuqia për ta kundërshtuar BE-në

14:37 / 28.10.2012
Procesi që nisi më 19 tetor me duar-shtrëngimin e dy kryeministrave që nuk njohin shtetësinë e vendeve që përfaqësojnë, pritet të vazhdojë në muajt e ardhshëm nën ndërmjetësimin e iniciatores së takimit “historik”- Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Derisa kjo e fundit pritet ta bëjë gati listën e temave që do të diskutohen për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic duket se nuk e kanë idenë se me cilat çështje do të ballafaqohen në takimet e ardhshme.

Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë e Beograd thonë se të dyja vendet presin që fillimisht të jehojë zëri evropian për të shikuar mundësitë e akomodimit të kërkesave të Brukselit dhe përshtatjen e tyre me synimet individuale shtetërore.

Por, duke synuar “karotën” evropiane që gjendet në horizontin e këtyre bisedimeve, analistët thonë se të dyja palëve u mbetet të presin duarkryq për t’i përmbushur kërkesat e Brukselit zyrtar.

Pavarësisht kundërshtimit të autoriteteve kosovare për të biseduar për çështjet e brendshme, drejtori ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim, Leon Malazogu, i tha “Radios Evropa e Lirë” se pafuqia e Kosovës karshi kërkesave të BE-së mund ta detyrojë atë të pranojë çfarëdo opsioni për zgjidhjen e çështjes së veriut.

“Prishtina nuk ka fuqi që të imponojë situatën në terren në veri. Prishtina nuk e kontrollon veriun dhe e vetmja mënyrë që Prishtina ta rifitojë veriun me çfarëdo mase që e rifiton atë, është duke u mbështetur në BE-në”, u shpreh Malazogu.

Ndarja, një autonomi e zgjeruar për veriun dhe modele të ndryshme që njeh e drejta ndërkombëtare, ishin përmendur si opsione të mundshme edhe në vigjilje të takimit Thaçi-Dacic.

Por, kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, tha se me këtë lloj retorike shteti serb vetëm se dëshiron të fitojë kohë. Ajo tha se, përderisa nuk obligohet ta njohë pavarësinë e Kosovës, Qeveria serbe do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për t’i zvarritur gjërat, sidomos kur bëhet fjalë për problemin e veriut të Kosovës.

“Derisa ata nuk detyrohen ta njohin realitetin në Kosovë, ata do ta përdorin Kushtetutën dhe preambulën e saj që flet për integritetin e Serbisë si arsyetim se nuk mund ta bëjnë këtë apo atë për shkak të opinionit publik. Por, ky është vetëm një manipulim, sepse çështja e veriut të Kosovës do të zgjidhej shumë lehtë në rast se Serbia vendos ta njohë realitetin e ri. Kjo do të varet edhe se sa Rusia do ta mbështesë rezolutën 12 44 në Këshillin e Sigurimit”, tha Biserko.

Ajo shprehu bindjen se, në mungesë të një platforme të detajuar, Beogradi do të përpiqet të rikthejë në tavolinën e diskutimeve disa marrëveshje të arritura gjatë dialogut teknik me Prishtinën.

“Me sa duket ata do të përpiqen që, gjatë zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur gjatë mandatit të ish-qeverisë, të ri-negociojnë disa pjesë të atyre marrëveshjeve. Për momentin, kjo është strategjia e vetme që kanë”, shtoi Biserko.

Që nga marsi i vitit të kaluar Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar një dialog për çështje “teknike” që rezultoi me shtatë marrëveshje brenda nëntë raundeve të takimeve. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet palëve ishte përmendur edhe atëkohë si synim kryesor i dialogut teknik, ndërsa në fazën më politike ky normalizim thuhet se do të mund të arrihej me zgjidhjen e çështjeve të hapura në veri të Kosovës. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
20:01 / 24.05.2013
Adrian Gaxha dhe Floriani

Gaxha dhe Floriani sjellin këngën e re

Adrian Gaxha dhe Floriani kanë lansuar sot këngën e tyre më të re duet të titulluar “Kjo Zemër”.
Teknologji
19:43 / 24.05.2013
Laptopët e rinj, 50 për qind jetë më të gjatë të baterisë

Laptopët e rinj, 50 për qind jetë më të gjatë të baterisë

Windows 8 nuk ka bërë shumë për t’i tërhequr njerëzit të blejnë pajisje elektronike, si laptop apo kompjuterë person...
Ekonomi
16:20 / 24.05.2013

KEK-u nuk menaxhon më asetet e distribucionit

Drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë treguar se nuk menaxhojnë më me Distrubucionit e kësaj korporate dh...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.