Panariti: Fund marshimeve të nazistëve grekë
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti paralajmëroi dy ditë më parë se Tirana zyrtare nuk do të lejojë më hyrjen në territorin shqiptar të formacioneve ekstremiste greke. Duke iu referuar tubimeve të neonazistëve grekë të “Agimit të Artë”, në Këlcyrë e Bularat, të zhvilluara me rastin e 28 tetorit, Ditës Kombëtare të Greqisë në nderin të ushtarëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Panariti tha se “përkujtime të tilla mund të bëhen fare mirë në Greqi dhe nuk ka nevojë të merren inkursione të tilla brenda territorit shqiptar dhe aq më tepër duke mos kontaktuar autoritetet e vendit fqinj, që është dhe një mosrespekt”.Ministri Edmond Panariti i cilësoi normale reagimet e Aleancës Kuq e Zi, Vetëvendosjes e PDIU-së. Ai i shprehu këto qëndrime gjatë një interviste për ABC News. “Gjatë takimit tim që kam patur në Greqi i kam thënë qartazi dhe prerazi z.Avramopulos se qeveria greke, sikurse dhe qeveria shqiptare, por qeveria greke në radhë të parë, duhet të bëjë përpjekje maksimale për të mbajtur nën kontroll formacione të tilla, ekstremiste, fashiste, me tone nacionaliste, që synojnë të provokojnë e të majisin marrëdhëniet tona”.
Panariti tha se përkujtime të tilla mund të bëhen fare mirë në Greqi dhe nuk ka nevojë të merren inkursione të tilla brenda territorit shqiptar dhe aq më tepër duke mos kontaktuar autoritet e vendit.
“Dëshiroj t’i apeloj palës greke, të përmbahet, të mbajë nën kontroll lëvizje të tilla të grupimeve ekstremiste që synojnë të provokojnë, të përkeqësojnë një klimë që Greqia e Shqipëria po përpiqen për ta përmirësuar. Jemi shumë të angazhuar si qeveri shqiptare për marrëdhënie shumë të mira. I bëjmë apel qeverisë greke të ketë më nën kontroll grupet ekstreimiste dhe për çdo lëvizje të grupeve të tilla duhet të njoftohet Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë”. /Telegrafi/