Panariti në Tunizi, takime me kreun e Asamblesë dhe përfaqësues të Parlamentit
inistri i Punëve të Jashtme dhe njëkohësisht President i Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës, Edmond Panariti, filloi vizitën dy ditore në Tunizi. Në këtë vizitë ai shoqërohet nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon.Në takimin që Ministri Panariti dhe Presidenti Mignon zhvilluan me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare Kushtetuese të Tunizisë, Mustafa Ben Jaafar, u vlerësuan zhvillimet pozitive në këtë vend si pasojë e proceseve demokratike që ndodhën vitin e kaluar.
Ministri Panariti përshëndeti reformat e ndërmarra nga autoritetet tuniziane në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike. Nga ana e tij, Ben Jaafar, pasi vlerësoi këtë mision të përbashkët të Presidencës shqiptare dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës u ndal në ecurinë e reformave demokratike dhe në rolin që luan Parlamenti tunizian në drejtim të miratimit të akteve dhe ligjeve që lidhen me këto reforma dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm bashkëpunimi dhe dialogu mes forcave politike tuniziane.
Gjithashtu, Panariti dhe Mignon patën një takim dhe me drejtuesit e grupeve parlamentare të Parlamentit tunizian. /Telegrafi/