Pantic: Jahjagën kurrë nuk e kemi parë
Jahjaga jo vetëm që nuk u takua me përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës, por që nga zgjedhja e saj si presidente nuk e ka kaluar kurrë urën mbi Ibër në Mitrovicë, ka thënë kryetari ilegal i Mitrovicës, Krstimir Pantic. Sipas tij, deklarimet se ajo ka takuar serbët e veriut, “janë për përdorim të brendshëm politik të Prishtinës dhe për mashtrim të publikut”. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që Atifete Jahjaga të jetë takuar me serbët që kanë OJQ dhe të cilëve, sipas tij, Prishtina u shërben për të marrë paratë për disa projekte në veri.
“E ata nuk janë as përfaqësues legal e as legjitim të qytetarëve”, shton ai, shkruan “Kurir”.
Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Ramush Tahiri, ka thënë javën e kaluar se institucionet serbe në veri të Kosovës janë legjitime dhe se Jahjaga ka pasur kontakte me serbët e veriut. /Telegrafi/