Partitë e vogla: Votojmë kundër Kodit Elektoral
Partitë e vogla, të majta dhe të djathta refuzojnë në bllok reformën e re elektorale të miratuar nga PD-ja dhe PS-ja, duke paralajmëruar votat kundër në Kuvend. Aleatët e Berishës dhe të Ramës akuzojnë dy partitë kryesore për diktatin e ushtruar mbi reformën, duke vendosur monopol mbi të, raporton “BalkanWeb”.
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi deklaroi për “GSH” se është kundër kësaj reforme të cilën do ta refuzojë me votë në momentin që do të kalojë në Kuvend.
“Nuk jam dakord me reformën e re zgjedhore dhe nuk do ta votoj atë. Kjo reformë është një gatim që nuk hahet nga PD-ja dhe PS-ja. Të paktën të mbajnë përgjegjësi kësaj radhe siç nuk kanë bërë për 20 vite”, deklaroi Idrizi.
Edhe aleati tjetër i PD-së, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu deklaroi votën kundër ligjit të ri elektoral, si një draft që nuk sjell asnjë premisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në 2013-në.
“Qëndrimi im është kundër kësaj reforme zgjedhore. S’ka qenë gjithëpërfshirës, nuk ka qenë transparent, nuk ka konsideruar shqetësime thelbësore dhe krijon një Parlament të emëruar jo një Parlament funksional. Unë mendoj që kjo është në dëm të interesave të Shqipërisë dhe pa dyshim që do të votoj kundër”, theksoi Mediu.
Në të njëjtën linjë është edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule teksa shprehet se as PS-ja dhe as PD-ja nuk ndërhyn në thelbin e problematikave zgjedhore, por vetëm arnuan ligjin e vjetër zgjedhor.
“Ne ishim dhe insistojmë se një strukturë e administrimit zgjedhor që nga KQZ e deri tek komisionet e nivelit të dytë dhe të tretë do të ishte më e përshtatshme që të mos bëheshin nga militantë partiakë, po nga pjesëtarë të shoqërisë civile apo sektorëve të caktuar të administratës të cilët me më shumë devotshmëri do i shërbenin procesit, duke u krahasuar me militantët partiakë”, tha Dule.
Edhe më të zhgënjyer janë krerët e partive të vogla që nuk janë në parlament, veçanërisht kundrejt asaj që nuk është marrë parasysh kërkesa për korrektim kombëtar të proporcionalit. /Telegrafi/