PD: PS kërkon pengimin e referendumit për imunitetin
Partia Demokratike ka deklaruar se Partia Socialiste kërkon të pengojë zhvillimin e referendumit për heqjen e imunitetit. Zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi u shpreh se Rama dhe klubi i miliarderëve të PS-së, provoi se janë gati të dhunojnë kushtetutën e vendit dhe të sulmojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese vetëm për të mos hequr imunitetin.Sipas Bardhit, pas bllokimin në Parlament të heqjes së imunitetit dhe bllokimit të statusit të vendit kandidat për anëtar në BE, kreu socialist dhe klubi i miliarderëve ndjehen të tmerruar nga vendimi i mazhorancës, për heqjen e imunitetit nëpërmjet referendumit popullor, raporton noa.al.
“Në një kaos të plotë, një ditë ata kërkojnë dhe zotohen se do të vendosin Kushtetutën e sundimit të pakicës, një ditë tjetër z. Rama kërcënon qytetarët dhe mazhorancën se ai në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit e cila nuk lejon kurrë referendume për çështje territoriale se ai do të kërkojë referendum për kufirin detar të vendit. Me këtë deklaratë, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe klubi i miliarderëve në kryesinë e Partisë Socialiste, provojnë se për të kundërshtuar heqjen e imunitetit janë gati të dhunojnë Kushtetutën e vendit dhe të shkelmojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shprehet zëdhënësja e PD.
Ndër të tjera ajo thekson se ky qëndrim kërcënues ndaj mbajtjes së referendumit popullor për heqjen e imunitetit arriti kulmin pasi në përputhje me ligjin Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive publikoi pasuritë e deputetëve nga ku, sipas saj rezulton se vetëm njëri nga anëtarët e kupolës së miliarderëve të Partisë Socialiste, deputeti Abazi ka deklaruar një pasuri me mbi 50 milion Dollarë.
Në këtë drejtim, zëdhënësja e PD ka shtuar se nga kjo pasuri prej mbi 50 milionë dollarë, vetëm ndërtime me leje të kryetarit Rama por dhe pa leje fare, janë rreth 7 mijë metër katrorë.
“Ky person ka edhe 11 veprimtari të tjera në ndërtim e sipër. Ato që janë deklaruar janë vetëm maja e ajzbergut të pasurisë së tij. Këto të dhëna faktojnë se për të mbrojtur pasuritë prej mbi 50 milionë dollarësh të zotit Abazi, kryetari i Partisë Socialiste dhe miliarderët e Partisë Socialiste, e kanë jetike mburojën e imunitetit me të cilën bllokojnë hetimin e origjinës së pasurive të tyre”, vijoi ajo.
Në fund të deklaratës, zëdhënësja e Partisë Demokratike u shpreh se asnjë kërcënim i zotit Rama dhe miliarderëve të Partisë Socialiste nuk do të mund të pengojë verdiktin e qytetarëve për një Shqipëri pa imunitet dhe pa zyrtarë, që e përdorin atë si mburojë për pasurim të paligjshëm si dhe për të fshehur origjinën e këtyre pasurive nga trafiqet kriminale, fshehja e taksave, kontrabanda, lejet e paligjshme të ndërtimit dhe grabitja e trojeve dhe tokave publike. /Telegrafi/