PDK-ja, ende pa kryetar në Prishtinë
Edhe pse procesi zgjedhor ka kohë që ka filluar, kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë nuk do ta zgjedhet brenda këtij muaj. Kjo pasi që drejtuesit e kësaj partie kanë vendosur që zgjedhjet për kryetar të PDK-së në Prishtinë të mbahen pas Kongresit VI të partisë. Sipas burimeve nga kjo parti vonesa për zgjedhjen e kryetarit po ndodhë për shkak se qendra e PDK-së nuk po mund të gjejë një kandidat të pranuar për ata.
Lajmin për mos zgjedhjen e kryetarit të degës së PDK-së për Prishtinë e bëri të ditur, koordinatori i zgjedhjeve të brendshme të PDK-së, Basri Musmurati, i cili i ka thënë Kosovapress-it se zgjedhja e kryetarit të Prishtinës pritet të ndodh pas Kongresit të VI të partisë.
“Zgjedhja e kryetarit të degës së PDK-së në Prishtinë pritet të mbahet menjëherë pas Kongresit të VI të partisë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, pas përfundimit të zgjedhjeve në nëndegë, Partia Demokratike e Kosovës mbajti Kuvendin Zgjedhor të Degës, ku morën pjesë 261 delegat të cilët votuan për këshillin e degës, i cili përbëhej pre 51 anëtarëve, të cilët pritej të zgjidheshin 15 anëtarët e kryesisë, e këta të fundit pastaj kryetarin e degës.
Në Kuvendin Qendror të Degës u panë tre pretendentë për kryetar siç ishin zëvendësministri i Forcës së Sigurisë, Shemsi Veseli, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe aktori Lirak Çelaj.
Në këtë kuvend, ndonëse kanë reflektuar se do të bëjnë garë fer kundrejt njëri - tjetrit, para se të shfaqeshin të tre bashkë, janë publikuar lista që udhëzojnë delegatët që duhet votuar për Këshillin Drejtues të degës.
Në dy sosh është i listuar Krasniqi dhe njerëz me funksione të larta në Qeveri, sikur ministrat Vlora Çitaku e Blerand Stavileci. Në një tjetër ndodhet emri i Çelajt.
Megjithatë, në zgjedhjet e Kuvendit të Degës më i votuari ka dalë Shemsi Veseli, i pasuar nga Lirak Çelaj dhe sekretari i degës Bujar Cakolli.
Shemsi Veseli, i cili më vonë patë thënë se tërhiqet nga gara për të qenë pjesë e kryesisë së degës së PDK-së dhe automatikisht edhe nga gara për kryetar.
Përkundër asaj se në kuvendi, Shemsi Veseli pati më së shumti vota, dorëheqja e tij sipas burimeve të Kosovapress-it ka ardhur për shkak se kundërkandidatët e tij punuan më shumë në këshill, ku ai mbeti i fundit në listën e të votuarve për kryesinë e degës.
PDK, që udhëheq me shumicën e komunave të Kosovës, deri më tani nuk ka fituar zgjedhjet lokale në Prishtinë, dhe aty u shfaqën synimet që në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen në vjeshtën e vitit 2013, të kërkohet besimi i prishtinasve. /Telegrafi/