PDK-ja shtyn përpara Ligjin për Amnisti, duke anashkaluar rregulloret

21:50 / 30.06.2013

Partia në pushtet vlerëson se shqyrtimi me nguti i Ligjit për Amnisti do të jetë i nevojshëm edhe duke anashkaluar procedurat e rregullta ligjore. Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e PDK-së, Behar Selimi ka thënë për Telegrafin, se do të jetë Kuvendi i Kosovës, i cili me dy të tretat e votave do të vendosë nëse dërgimi i këtij ligji jashtë procedurave është apo jo në interes të vendit.

Alarmin për anashkalimin ligjor në rastin e shqyrtimit të Ligjit për Amnisti, nesër në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Legjislacion e ka dhënë deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar se po synohet që të miratohet me nguti ky ligj, i do të amnistonte kriminelët dhe shkelësit e ligjit që kanë vepruar në veri të vendit.

Ndërsa, deputeti Selimi ka thënë se është e sigurt se në këtë rast po anashkalohet rregullorja, ashtu siç thotë deputetja Haxhiu, por në anën tjetër rregullorja lejon edhe shmangie të procedurave në rastet kur e kërkon interesi i vendit.

“Që të dyja opsionet, edhe i Haxhiut që të respektohet strikt rregullorja, edhe i imi që të respektohet interesi i madh shtetëror, duhet që të diskutohen nesër në Komision. Pastaj anëtarët vendosin, sepse po kërkohet që të shqyrtohet shpejt në parim Ligji për Amnisti, por jo të kryhet përfundimisht”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, nëse shumica e anëtarëve të Komisionit vendosin ta marrin parasysh interesin vital të vendit, atëherë në Komision e shqyrtojnë në parim, pastaj i drejtohet Kuvendit.

“Pastaj, në Kuvend mund të vendoset që të mos pranohet, për shkak se janë anashkaluar rregulloret, ose e pranojnë sepse do të bëjmë anashkalim, por kjo duhet të bëhet me dy të tretat, e cila duhet po ashtu për aprovimin në parim të Ligjit për Amnisti”, ka shpjeguar Selimi.

Sipas tij, është e rëndësishme të qartësohet se vetëm po nisë procesi i shqyrtimit të Ligjit për Amnisti, por nuk po merr fund. “Do të ketë lexim të dytë, prandaj ndërmjet dy leximeve do të ketë edhe mundësi të amandamentimit”, ka sqaruar Selimi.

Në anën tjetër, deputetja Haxhiu kishte thënë se ndërrimi i orarit të mbajtjes së mbledhjes është në kundërshtim me Rregulloren së Punës, e cila saktëson se shqyrtimi i parë i një projektligji nuk mund të bëhet pa kaluar dy javë pune dhe as më vonë se katër javë pune, nga dita e shpërndarjes së tij.

Gjithashtu, Haxhiu ka vlerësuar se Rregullorja e Punës obligon që anëtarët e Komisionit të njoftohen jo më vonë se katër ditë pune para se të mbahet mbledhja, ndërsa anëtarët e Komisionit për këtë mbledhje janë ftuar të premten pasdite. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.