PDK, përplasjet e fundit pjesë e demokracisë
Drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës i kanë quajtur pjesë të demokracisë përplasjet e fundit ndërmjet tyre.Përplasja e fundit dhe më e rënda ishte ajo e seancës së djeshme, ndërmjet kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, e shefit të Grupit Parlamentar, Adem Grabovci, në anën tjetër.
Por, zyrtarët e kësaj PDK-së thonë se nuk ka krizë në parti, raporton RTK
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka zgjedhur rrugën e relaksimit të raporteve brenda partisë së tij, duke tërhequr para deputetëve dhe para opinionit, fjalën që një ditë më parë e tha në seancë, për ministrat e Qeverisë së Kosovë.
Një ditë më parë, teksa u përplas me ministrin Bajram Rexhepi dhe me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, Krasniqi i quajti rrugaçë ministrat e kabinetit qeveritar.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka mohuar të ketë krizë brenda PDK-së.
“E them me përgjegjësi të plotë që Grupi Parlamentar është unik, ka dëshmuar. Nuk kemi asnjë krizë, po e përsëris për të satën herë. Të gjitha vendimet, po e shihni se merren me shumicën e votave”, tha Grabovci.
Ai mohon ta ketë përmendur një ditë më parë shkarkimin e kryeparlamentarit Krasniqi, ndërsa thotë se PDK-ja është parti e debatit të hapur, por është kundër fjalorit joparlamentar.
“Nganjëherë ka tejkalim dhe ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithnjë kundër përdorimit të fjalorit joparlamentar në Kuvendin e Kosovës, nga kushdo qoftë ”, u shpreh Grabovci.
Në gjithë përplasjet e fundit në Kuvend, kryeministri Hashim Thaçi, i cili njëherësh është edhe kryetar i PDK-së, ka qëndruar anash. Këtë heshtje të Thaçit, e ka arsyetuar zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi.
“Unë besoj që mirë është duke bërë. Kështu e ka i zoti i shtëpisë. Të gjithë nëse gabojmë ai na përmirëson, po të gabojë ai, s’ka kush e përmirëson”, tha Kuçi. /Telegrafi