PE, në prill diskuton për dialogun Kosovë-Serbi
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, ka bërë të ditur se në muajin prill në Parlamentin Evropian do të diskutohet për përparimin e Serbisë në rrugën evropiane, si dhe për dialogun e saj me Kosovën.“Diskutimi dhe vendimi për progresin e Serbisë, si dhe raporti për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, janë zhvendosur për seancën e prillit të Parlamentit Evropian", ka shkruar Kacin në Twitterin e tij.
Përmes një postimi tjetër, po ashtu në Twitter, ai ka shfaqur shpresën se bisedimet e sotme të autoriteteve të larta të Serbisë me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton, do të jenë të suksesshme.
Në këtë takim, që zhvillohet në Bruksel, marrin pjesë presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, kryeministri Ivica Dacic dhe zëvendëskryeministri i parë, Aleksandar Vucic. /Telegrafi/