Pedofili i Ujësjellësit
Shkoi për ta kryer punën për të cilën paguhet, por bëri diçka tepër të turpshme. Një burrë mbi 30 vjeç, punëtor i Ujësjellësit Rajonal të Mitrovicës, i punësuar në filialin e Skenderajt, me një gjest që bëri të premten, u kuptua se ishte pedofil. Derisa vajti në banesën e një familje që jeton në Mitrovicë për ta kontrolluar njësorin e ujit, ky punëtor e ngacmoi seksualisht vajzën 11-vjeçare, e cila në atë moment ndodhej e vetme në shtëpi.Gjithçka nisi kur ky punëtor tentoi ta kapë vajzën me dhunë dhe ta puthë, derisa vajza vazhdimisht lëshonte britma frike. Këto klithma i dëgjuan fqinjët e ndërtesës dhe dolën menjëherë për të parë se çfarë kishte ndodhur.
Panë atë çfarë nuk ua kanë parë sytë kurrë: një burrë në moshë teksa ngacmonte seksualisht një vajzë të vogël. E zunë inkasantin e ujit teksa tentonte ta puthte me dhunë në buzë 11-vjeçaren.
Ky akt i ulët i detyroi ata që ta njoftojnë policinë menjëherë, e cila pa kaluar pak kohë u shfaq para dyerve të ndërtesës ku ndodhi akti.
Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se ky rast ka ndodhur para dy ditësh në orët e paradites. Sipas tij, e gjithë ngjarja u zhvillua në njërën ndër hyrjet e banesave në Lagjen e Spitalit në Skenderaj.
“Policia ka marrë një informatë nga banorët aty se një person ka ngacmuar një vajzë të mitur”, tregon Hoti për “Express”.
Pasi doli në vendngjarje, sipas Hotit, policia kuptoi se personi i cili ngacmoi vajzën ishte punonjës i Ujësjellësit Rajonal të Mitrovicës.
“Punonjësi është rreth 35 vjeç dhe ka kohë që e kryen punën e inkasantit në Ujësjellësin e Mitrovicës”, sqaron Hoti.
Ditën kur bëri kjo vaki, nëpër gjithë Skenderajn flitej se fjala ishte për një dhunim, gjë që policia fillimisht e kishte mohuar të këtë ndodhur, kurse më vonë e ka konfirmuar se kishte ndodhur një ngacmim seksual. Të paktën sipas Hotit, rastin si të tillë e ka paraqitur në polici edhe familja e së miturës, e cila në kohën kur inkasanti vizitoi shtëpinë e tyre, nuk ndodheshin aty.
“Ai është arrestuar nën dyshimin e bazuar për ngacmim seksual”, ka thënë zëdhënësi Hoti. “Rasti ndodhi kur punëtori i Ujësjellësit kishte shkuar në banesën e së miturës për të shikuar njësorin e ujit”, thotë ai.
Pavarësisht se e bëri këtë veprim shumë të turpshëm dhe jonjerëzor, ngacmoi dhe tentoi ta puthë me dhunë një vajzë të vogël, policia tregoi mëshirë për punëtorin e Ujësjellësit. Ajo me urdhër të prokurorit liroi të dyshuarin. Por, kjo nuk do të thotë se hetimet nuk vazhdojnë. “Hetimet po vazhdojnë dhe po shihen të gjitha rrethanat se si ka ndodhur rasti”, sqaron Hoti.