Për LDK-në është i pranueshëm vetëm sistemi unik i doganave

17:38 / 18.01.2013

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sa i përket marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë për doganat, ka deklaruar se ende nuk ka njohuri të plota për të, duke i sugjeruar Kryeministrit të Hashim Thaçi që pas kthimit të tij t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve lidhur me marrëveshjen e arritur.

“Ne akoma nuk kemi informata të plota lidhur me marrëveshjen. Kemi pasur një prononcim të Kryeministrit. Unë mendoj se është e rrugës që Kryeministri kur të kthehet në Kosovë t’i raportojë Kuvendit të Kosovës, t’i raportojë edhe institucioneve të Kosovës. Deri më tani kemi pasur raportime të tilla. Nuk mund të ankohemi se nuk kemi qenë të informuar. Pas asaj ne do të bëjnë vlerësimin”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se ka biseduar me Thaçin para shkuarjes në bisedime në Bruksel lidhur me çështjen e sistemit të doganave, për të cilën gjë ai ka thënë se vetëm një sistem unik i doganave do të ishte i pranueshëm për të.

“Ajo çfarë ne kemi biseduar edhe para shkuarjes së tij në Bruksel është që ne sistemin doganor të Kosovës do ta kemi sistem unik, i cili do të zhvillohet dhe do të veprojë në mënyrë unike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Unë mendoj se kjo është zgjidhja e veçantë dhe zgjidhja e vetme e pranueshme për ne”, ka thënë ai, transmeton “Kosovapress”.

Për më tepër, takimi i katërt mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, i zhvilluar nën lehtësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ka rezultuar me një marrëveshje të përkohshme për taksat.

Pas këtij takimi, kryeministri Thaçi ka deklaruar se janë pajtuar që edhe në pjesën veriore të Mitrovicës të paguhet dogana bazuar në ligjet e Kosovës.

Thaçi ka bërë të ditur se pala serbe për herë të parë ka marrë përgjegjësinë për shpërbërjen e këtyre strukturave. Po ashtu, ai ka thënë se takimi i radhës do të mbahet diku ka mesi i shkurtit.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga baronesha Ashton, thuhet se palët janë pajtuar për mbledhjen e taksave, duke u bazuar në marrëveshjen e dhjetorit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, apo IBM-së. /Telegrafi/


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.