Përgatiten për marrjen e përgjegjësive të plota
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë, sot ka folur lidhur me mbarëvajtjen e punëve në procesin e përmbylljen së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Ai ka thënë para kabinetit të tij, se e gjithë puna në këtë drejtim po shkon sipas planit dhe ka shtuar se pret që deri në fillim të shtatorit të përfundojnë të gjitha punët.Kryeministri Thaçi ka thënë se në bashkëpunim të ngushtë edhe me Grupin Drejtues Ndërkombëtar, punët po rrjedhin sipas planit të paraparë.
“Theksoj se të gjitha përgatitjet për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë të Kosovës, që do të ndodh në fillim të shtatorit, janë duke shkuar sipas planit, në një koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, me Grupin Drejtues Ndërkombëtar mbështetës për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se “Qeveria e Kosovës është duke i kryer çdo ditë obligimet e veta që dalin karshi këtij procesi të rëndësishëm të mëvetësisë së plotë të shtetit tonë dhe marrjen e përgjegjësive të plota nga ana e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës”. /Telegrafi/