Përleshja në Prokurori, hetohet kryekomunari Doko dhe katër të tjerë
Prokuroria e Fierit vë nën hetim kryetarin e Komunës së Libofshës, Naun Dokon, si dhe katër persona të tjerë, pasi akuzohen se kanë rrahur oficerin e policisë, Nazmi Përlezi. Rrjedha e ngjarjes ka ndryshuar pas dhënies së dëshmisë së Përlezit, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal të Fierit ku po merr ndihmën mjekësore. Kështu që, për incidentin e ndodhur tri ditë më parë në portën e organit të akuzës po bëhen dy hetime paralele.
Pas përleshjes me grushta dhe shkelma, kryekomunari Doko (ish-shef i Komisariatit të Policisë së Fierit) denoncoi në prokurori oficerin Nazmi Përlezi për ushtrim dhune. Pak orë pas kallëzimit të kryekomunarit, SHKB-ja vuri në pranga oficerin e policisë. Por dje, organi hetimor ka vënë nën hetim Dokon dhe katër persona të tjerë, të cilët e shoqëronin ditën kur ndodhi përleshja. Kjo, për faktin se Përlezi jep version të ri për ngjarjen.
"Isha ulur në një tavolinë, në verandën e një lokali afër prokurorisë. Isha vetëm, kur pashë Dokon që kaloi pranë. Më ngjau se ai më përshëndeti, ndaj i thashë 'Ç'e mirë të ka sjellë këtej o Naun?'. Ndërkohë, ai më tha se 'kam ardhur për letrat e tua false për pronën'. U ngrita nga tavolina dhe iu afrova. I thashë që të përsëriste dhe njëherë fjalët që më tha. Në këtë moment, personat që e shoqëronin atë më goditën befasisht. U kundërpërgjigja dhe unë, po ata ishin 5 veta dhe unë një", ka pohuar polici Përlezi, shkruan “Gazeta Shqiptare”.
Aktualisht, Përlezi ndodhet i shtruar në dhomën-qeli që ndodhet në katin e tretë të spitalit të Fierit. Ai ka marrë 9 ditë raport për fraktura e trauma që ka në trup dhe fytyrë. Ndërkaq, burime nga prokuroria e Fierit shprehen se vazhdon puna për plotësimin e dosjes për të dyja palët. /Telegrafi/