“Përplasja e urrejtjes” nuk përfaqëson shoqëritë myslimane
Autori i librit “Martirët e zhdukur”, Charles Kurzman, vlerëson se minoriteti radikal nuk përfaqëson myslimanët si tërësi. Sipas tij, protestat e ditëve të fundit, që thuhet se u nxitën nga filmi kontrovers “Pafajësia e myslimanëve”, paraqesin një “përplasje oportuniste të urrejtjes”.“I kemi parë tërë këto zhvillime edhe më parë. Dikush thotë ndonjë gjë të egër dhe fyese, të tjerët ndihen të fyer dhe angazhohen në protesta që shndërrohen në ngjarje të dhunshme. Kjo forcon armiqësinë dhe urrejtjen në të dyja anët. Kjo duket aq e trishtueshme sa që jemi të detyruar t’i shohim vazhdimisht të njëjtat skena, përderisa shumica prej nesh duan të mos kenë të bëjnë me ato”, thotë Kurzman për “Radio Evropa e Lirë”.
Në pyetjen se pse myslimanët bien lehtë pre e provokimeve, ai thotë se ekzistojnë grupe të vogla që provokohen lehtë.
“Në fakt, kemi bashkëpunim të budallenjve, njerëzve që përdorin çfarëdo preteksti, çfarëdo urrejtje dhe keqkuptimi për të mobilizuar dhe keqinterpretuar njerëzit e tjerë në botën që ata nuk e pëlqejnë. Ky përbën vetëm një shembull tjetër. Nuk mendoj se myslimanët janë më të ndjeshëm se të tjerët. Mendoj se, në secilin shtet, ka grupe të vogla të njerëzve që janë të më të ndjeshëm ndaj fyerjeve se të tjerët dhe që organizojnë protesta kur ndihen të sulmuar. Hidhuni një sy numrave të protestuesve dhe e shihni që janë relativisht të ulët. Krahasoni këto protesta me ato gjatë Pranverës Arabe. Këto janë protesta të vogla, por megjithatë, mbulohen nga mediat ndërkombëtare dhe fitohet përshtypja se janë më të rëndësishme sesa që janë në të vërtetë”.
Ai nuk mendon se kjo është përplasje e kulturave - civilizimeve. Sipas tij, këtu kemi të bëjmë me urrejtje. Kurzman mendon se shumica e njerëzve nuk urrejnë njëri-tjetrin, por se këto grupe të vogla - që kanë potencial për të urryer - janë në gjendje ta fitojnë vëmendjen e çdokujt.
“Të mos harrojmë se protestat ndaj një fyerjeje janë të ligjshme në shumicën e shteteve - përfshirë Shtetet e Bashkuara - e nëse njerëzit duan të mbajnë simbole apo të djegin flamujt, ata mund ta bëjnë këtë. Kjo quhet liria e shprehjes. As mua nuk më pengojnë protestat e organizuara kundër një filmi. Mendoj se kjo është shenjë e pjesëmarrjes politike. Tani, kur këto protesta shndërrohen në të dhunshme, natyrisht se kemi të bëjmë me krim dhe unë jam kundër kësaj”, thotë Kurzman. “Shumica prej nesh nuk u takojnë këtyre ekstremeve dhe duan t’i tejkalojnë ato. Kjo është pjesa më e dhimbshme e këtij tregimi: pjesa dërrmuese mund të ketë mospajtime në aspektin politik apo kulturor, por ne nuk e urrejmë njëri-tjetrin. Le të përqendrohemi në energjinë e mirëkuptimit dhe në kërkimin e paqes e jo në atë të konfliktit”. /Telegrafi/