Pesë skenarë për veriun

15:26 / 30.10.2012
Instituti RIDEA dhe Qendra për Studime Ndërkombëtare pranë Universitetit të Oksfordit (QSNUO), të martën kanë bërë prezantimin e studimit mbi zgjidhjen e Rebusit në Kosovën Veriore. Kjo përmbledhje pasqyron skenarët kryesor dhe rekomandimet për zgjidhjen e rebusit ne veriun e Kosovës që në parim, ka të paktën pesë skenarë për zgjidhjen e problemit në veri të Kosovës.

Labinot Greiçevci nga Instituti kërkimor për çështje Evropiane RIDEA, ka thënë se skenari i parë është që kjo pjesë e vendit të ri-integrohet përmes përdorimit të forcës, ngjashëm me aksionin e Qeverisë së Kroacisë kundër Republikës Serbe të Krajinës (RSK) më 1995 apo atë të Qeverisë së Shri Lankës kundër rebelëve Tamil në veri të atij vendi më 2009.

“Kjo nuk është zgjidhje e mundshme në kontekstin e tanishëm gjeopolitik dhe rajonal të Kosovës. Mirëpo, nëse problemi vazhdon edhe në periudhën afatmesme, ky skenar nuk mund të anashkalohet në tërësi, meqë kjo çështje është e lidhur drejtpërdrejt me dilemën e sigurisë nacionale - të bëhet apo zhbëhet Kosova”, ka thënë Greiçevci, transmeton “Zëri”.

Ndërkaq, skenari i dytë i mundshëm, sipas tij, është ndarja e asaj pjese të Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë në mënyrë të ngjashme me krijimin e Irlandës së Veriut nga gjashtë rajonet e Irlandës në fillim të viteve 1920 si pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, derisa 26 rajonet tjera fillimisht formuan Shtetin e Lirë Irlandez e më vonë Republikën e Irlandës.

Mirëpo sipas tij, ky skenar nuk është lehtë i realizueshëm për shkak të shumë vështirësive dhe komplikimeve.

“Me fjalë të tjera, një zgjidhje e tillë do të hapte kutinë e Pandorës dhe shumica në bashkësinë ndërkombëtare kundërshton këtë skenar. Kësisoj, ky është një skenar pothuajse i parealizueshëm”, ka thënë ai.

E skenari i tretë, siç tha ai, është që t’i jepet veriut të Kosovës autonomi e gjerë territoriale-politike, e ngjashme me atë të Republika Srpskas në Bosnjë dhe Hercegovinë apo atë të “shtetit konstitutiv” vetëqeverisës turko-qipriot si pjesë e shtetit nominalisht të bashkuar “Republika e Qipros së Bashkuar”, propozuar nga OKB në vitin 2004.

“Kjo zgjidhje është e parealizuar në kontekstin e tanishëm Kosovar, ngaqë është shumë e mundur që të mos pranohet nga klasa politike në vend dhe popullata shumicë shqiptare në Kosovë”, ka thënë ai, sipas të cilit është i pamundshëm edhe skenari i katërt, si në rastin e Bërçkos në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Duke marrë parasysh faktin që deri në njëfarë mase ky skenar do e vendoste veriun e Kosovës në ‘bashkëpronësi’ (kondominium) edhe të Kosovës edhe të Serbisë, edhe kjo strategji do të ishte jofunksionale dhe si pasojë do të prodhonte një integrim të dështuar të veriut të Kosovës me pjesën tjetër të Kosovës”, tha Greiçevci.

Skenari i fundit për nga radha, por jo edhe rëndësia, do të ishte implementimi i plotë i Planit të Ahtisaarit në veriun e Kosovës në mënyrë paqësore, vlerëson ai. Sipas tij, kjo zgjidhje do të kënaqte Qeverinë e Kosovës, serbët në jug të Kosovës dhe shumicën në bashkësinë ndërkombëtare.

“Mirëpo, tash për tash kjo zgjidhje nuk është e pranueshme për Serbinë, serbët në veri të Kosovës dhe disa shtete në bashkësinë ndërkombëtare (p.sh Rusinë)”, tha ai.

Ndërkaq, ai ka thënë se rekomandimet e këtij studimi janë të ndara në tri grupe: a) rekomandime për Qeverinë e Kosovës; b) për serbët në Kosovë (veçanërisht ata në veri); dhe c) për bashkësinë ndërkombëtare. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Teknologji
13:30 / 17.06.2013
Samsung nxjerr version edhe më të shpejtë të Galaxy S4

Samsung nxjerr version edhe më të shpejtë të Galaxy S4

Samsung është duke planifikuar të lëshojë versione të ndryshme të telefonit të saj kryesor, Galaxy S4, përkatësisht e...
Ekonomi
16:21 / 17.06.2013

ATK ka mbledhur 10% më shumë se më 2012

Ministri i Financave (MF) Besim Beqaj ka ofruar mbështetje për Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), duke e cilësuar ...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.