Pjesëtarja britanike lindi djalë në bazën ushtarake në Afganistan
Një ushtare britanike ka lindur të enjten një djalë në bazën ushtarake në Afganistan.Ushtarja me prejardhje nga Fixhi ka shërbyer në një njësi artilerike dhe lindja u krye në Kampin Bastion në provincën Helmand.
Ministria e mbrojtjes e Britanisë njoftoi se nëna dhe foshnja e posalindur janë në gjendje stabile, raporton Rel.
Ministria po ashtu njoftoi se nuk ishte në dijeni se ushtarja ishte shtatzënë, dhe se nuk është politikë ushtarake të lejohet që ushtaret shtatzëna të dërgohen në operacione.
Kjo ushtare kishte arritur në Afganistan në muajin mars, dhe kjo nënkupton se ajo ishte shtazënë para se të dërgohej në terren.
Mediat britanike kanë raportuar se ushtarja kishte kuptuar se ka për të lindur pas ankesave për dhimbje në bark.
Mendohet se kjo është hera e parë që një pjesëtare e ushtrisë britanike ka lindur në zonën e luftës. /Telegrafi/