PNDSH kundër bisedimeve
Partia Nacionale Demokratike Shqiptare (PNDSH) është kundër dialogut politik me Beogradin dhe kërkesave të disa ndërkombëtarëve që pozita dhe opozita të jenë më unike kur bëhet fjalë për dialogun. Këto thirrje PNDSH i ka cilësuar si jo demokratike, andaj ato duhet të pushojnë urgjentisht.Kryetari i PNDSH-së, Bujar Abdullahu, gjatë një konference për media ka thënë se faktori politik në vend përveç që nuk duhet assesi të pranojë bisedimet politike, ai tashmë nuk duhet të vazhdojë as me bisedimet teknike për shkak se marrëveshjet e nënshkruara, deri tash, nuk janë zbatuar nga pala serbe.
“Kjo kërkesë për këtë lloj uniteti nuk është asgjë tjetër veç se frikë nga demokracia, frikë nga mendimi dhe vullneti i qytetarëve të Kosovës të cilët janë ngopur me malverzime dhe me këto bisedime të pafundme prej të cilave ai vazhdon të mos përfitoj asgjë e për të cilat ai brengoset dhe ka drojë vazhdimisht. Kur ndërkombëtarët kërkojnë nga pozita dhe opozita në Kosovë që të jenë unik, ata në thelb janë kundër vlerave të demokracisë, ata drejtpërsëdrejti po i cenojnë proceset demokratike në Kosovë, po e atakojnë vetë logjikën demokratike”, ka thënë Abdullahu.
Duke folur edhe për paralajmërimet e Ministrisë së diasporës, që gjatë vitit të ardhshëm të bëhet regjistrimi i mërgatës, Abdullahu ka thënë se është i destinuar të dështojnë që në fillim.
“Ne si parti konsiderojmë se Ministria e Diasporës duhet të prihet nga një logjikë tjetër. Ndihma më e mirë për diasporën tonë është prezenca institucionale e Kosovës atje ku janë ata, atje ku jetojnë dhe punojnë ata. Kjo më së miri bëhet duke e ndihmuar diasporën që të ketë orientim dhe ndihmë të qartë për t'u organizuar në ‘Qendra Kulturore’ çka nuk ka ndodhur askund deri më tani”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo Ministri vazhdon me logjikën e vjetër, sipas tij, të gabueshme duke u munduar që të marrë nga diaspora sa më shumë e të mos i jap asaj sa duhet, as edhe kur ata vinë për vizitë në Kosovë, sikundër po ndodh këto ditë. /Telegrafi/