Podrimja, ndër figurat më të mëdha të poezisë shqipe
Mediat nga e mbarë bota kanë raportuar rreth ngjarjes së hidhur të ndarjes nga jeta e poetit më të madh kosovar të kohëve të fundit, Ali Podrimja.Përveç mediave franceze, shumica absolute e të cilave kanë shkruar apo kanë transmetuar kronika për këtë ngjarje, lajmi për vdekjen e poetit Podrimja, është publikuar edhe në shumë medie të tjera të vendeve të Evropës dhe më gjerë.
Për vdekjen në Francë të poetit të madh kosovar, Ali Podrimja, kanë raportuar disa medie gjermane, siç janë: “Tagesspiegel“,“Neue Westfälische”, “Spiegel Online“,“T Online”,etj.
Mediet gjermane, në informacionet e tyre, kryesisht thirren në burimet e agjencisë gjermane të shtypit DPA dhe MPJ-së së Kosovës.
“Spiegel Online” citon ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj ta ketë cilësuar vdekjen e Podrimjes si humbje të madhe për kulturën e Kosovës, duke u shprehur i tronditur për këtë ngjarje.
“Ali Podrimja ishte poet me renome ndërkombëtare, prandaj humbja e tij është jo vetëm humbje për familjen dhe miqtë e tij të ngushte por edhe për kulturën në Kosovë”, citojnë mediet gjermane ministrin Hoxhaj.
Edhe mediet italiane, kanë raportuar për zhdukjen dhe më pas gjetjen e trupit të pajetë të poetit kosovar.
Ndërkaq, mediet franceze, shtypi nacional dhe lokal, siç janë: “l’Express”, “Le Parisien”, “Midi Libre”, “Hérault”, “Le Dépeche.fr”, por edhe mediat si TV 5 Monde, kanë publikuar artikuj dhe komunikata lidhur me vdekjen e poetit të famshëm kosovar Ali Podrimja, duke iu referuar kryesisht komunikatës së publikuar më herët nga AFP (Agence France Presse).
Në këta artikuj, përveç që përshkruhej rrjedha e ngjarjeve rreth gjetjes së trupit të pajetë të poetit kosovar, jepeshin edhe pjesë të biografisë dhe veprës kolosale poetike të Podrimjes, duke e konsideruar si një nga figurat më të mëdha të poezisë bashkëkohore shqiptare.
Mediet franceze po ashtu kanë raportuar për ceremoninë e zhvilluar të dielën për nder të poetit Podrimja, në qytetin ku po zhvillohej festivali i poezisë “La voix de la Méditerranée”.
Në këtë ceremoni ku u nderua jeta dhe vepra e poetit, përveç pjesëmarrësve të festivalit kanë marrë pjesë edhe autoritetet e qytetit Lodeve, qytetarë të saj si dhe i biri i poetit e përfaqësuesit e Ambasadës së Kosovës në Paris.
Mediet franceze kanë përcjell edhe angazhimin e jashtëzakonshëm të institucioneve qendrore e lokale franceze për gjetjen e Podrimjes, si dhe ngushëllimet e sinqerta të transmetuara nga MPJ e Francës pas gjetjes së trupit të poetit.
Në një komunikatë të publikuar në medie të zëdhënësit të MPJ-së franceze, Bernard Valero, ky institucion shpreh respektin për "një nga figurat më të mëdha të poezisë bashkëkohore shqiptare" duke adresuar familjes së tij "ngushëllimet më të thella". /Telegrafi/