Polici e plagos doganierin
Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë në fshatin Vërmicë të Prizrenit ka ndodhur një plagosje me pistoletë, me ç’rast pjesëtari i policisë, A. B., ka shtënë në drejtim të pjesëtarit të Doganave te Kosovës N. G,. të cilin e ka plagosur duke e qëlluar në abdomen. I plagosuri është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren. Sipas mjekëve, gjendja e viktimës është e rëndë.Lajmin e bëri të ditur nëpërmjet një komunikate policia rajonale e Prizrenit, ku thuhet se plagosja ka ndodhur rreth orës 20:30, në fshatin Vërmicë të Prizrenit, në vendin e quajtur “Te Gurra”.
“I dyshuari A. B, pjesëtar i PK-ës, i cili ishte në detyrë zyrtare, ka shtënë në drejtim të viktimës N. G. pjesëtar i Doganave të Kosovës, i cili ishte jashtë kryerjes së detyrës zyrtare, dhe e ka plagosur rënd duke e qëlluar në abdomen”, thuhet në komunikatë, transmeton KP.
Sipas hetimeve fillestare, ngjarjes i ka parapri një zënkë e çastit në mes pjesëtarit të policisë dhe djalit të viktimës, e cila zënkë ka rezultuar me plagosje. Të gjitha procedurat e këqyrjes së vendit të ngjarjes janë kryer nga hetuesit policorë dhe krim-teknika, nën mbikëqyrjen e prokurorit i cili ishte në vendin e ngjarjes.
Në lidhje me rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor të Kosovës (IPK), të cilët gjithashtu kanë dalë në vendin e ngjarjes. Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe ka sekuestruar një armë për të cilën dyshohet se është e përfshirë në rast. /Telegrafi/