Polici kërcënon kameramanin
Menaxhmenti i ri i rektoratit të Universitetit të Prishtinës po vazhdon me mos transparencë, sikurse i vjetri. Kjo ndodhi të mërkurën me rastin e vizitës së një delegacioni nga Ambasada Amerikane në Kosovë, të cilët vizituan rektoratin. Aty Policia e Kosovës kërcënoi kameramanin e televizionit “Klan Kosova”.Derisa mediat po prisnin para Rektoratit për përfundimin e një takimi, i cili zhvillohej mes një delegacioni nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe përfaqësuesve të Rektoratit, ato u kërcënuan nga policët të cilët gjendeshin në kafen përballë.
Policët të cilët rrinë në hyrje të Rektorat, ishin ulur në lokalin përballë, dhe më të parë kameramanin e “Klan Kosova”, Gramoz Bajqinovcin, i cili po merrte pamje të rektoratit, ata menjëherë iu ofruan, duke e kërcënuar se nuk guxon t’i publikojë incizimet e bëra.
Kërcënimeve të policit në fjalë, nuk i shpëtuan as mediat tjera të pranishme, të cilat në çdo mënyrë donin t’i pengonin për t’i incizuar kërcënimet e tyre.
“Ndodh qe e shoh këtë incizim, ke me pas pune me mu”, kërcënonte polici.
Edhe përkundër shpjegimit të kameramanit Bajqinovci se ai nuk i ka incizuar, ata kërkonin që vet t’i fshinin nga kamera pamjet e kameramanit të Klan Kosovës, transmeton Kosovapress.
Fyerjet dhe kërcënimet për mediat e pranishme nuk u ndalen nga polici, i cili thoshte se ata nuk kanë të drejtë t’i xhirojnë policët në kafe, duke pohuar se nuk qan kokën as për inspektoratin sepse siç thoshte ai në inspektorat kishte qenë njëzet herë deri më tani.
“Policin në kafe s’guxon me u fotografu. Kush tha që s’kam të drejte me hy në kafe. S’guxon me incizu”, tha ai.
Ndryshe, ky nuk është rasti i parë që Policët kërcënojnë mediat gjatë kryerjes së detyrës së tyre. /Telegrafi/