Polici Shishani kërcënon Gjykatën?

22:29 / 3.02.2013

Një kontest pronësor në mes Zejnepe Buzhalës dhe policit të njësive speciale, Fadil Shishani, ka eskaluar në një kërcënim për gjykatësin e Gjykatës së Drenasit, Skender Zariqi, Buzhalën dhe avokatin e saj Ibrahim Dobruna.

Gjykatësi Skender Zariqi thotë të jetë kërcënuar më 3 shtator 2012, ditën kur ai kishte nisur procedurën për ta larguar nga banesa policin Fadil Shishani. Atë ditë, sipas gjykatësit, polici Shishani e kishte kërcënuar palët me fjalët: “Do e marrë vesh krejt Evropa çka ka me ndodhë”.

E tëra kishte nisur në vitin 1999 kur në banesën të cilën e shfrytëzonte Zejnepe Buzhala, kishte hyrë polici Fadil Shishani, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë. Zejnepja, e cila atëherë për shkak të luftës kishte emigruar në Angli, rrëfen se banesën e kishte marrë në shfrytëzim pa afat në vitin 1994 dhe për të njëjtën ka dokumentacionet përkatëse të lëshuara nga Qendra për Arsimin Parashkollor në Drenas.

“Kur jemi kthyer nga Anglia, në vitin 2001, në banesë ka qenë e pamundur të vendosemi për shkak se aty e kemi gjetur familjen e policit Fadil Shishani”, thotë Zejnepja.

Pastaj, ajo ishte marrë vesh me policin Shishani që ta lejojë atë të banojë në banesë edhe për dy vjet tjera dhe për këtë kishte bërë edhe një kontratë.

“Fadil Shishani u lut për këtë sepse nuk kishte ku të shkonte”, thotë Zejnepja.

Faktin se është vendosur në një banesë të huaj nuk e konteston as Fadil Shishani.

“Posa kemi zhdryp nga malet, unë kam ardhë me familje për t’u strehuar. E kam gjetur këtë banesë të shkatërruar plotësisht, e kam pastruar dhe jam vendosur në të”.

Shishani thotë se nuk ka qenë në dijeni se e kujt është banesa. Por, ai pranon se ka nënshkruar një kontratë me Zejnepe Buzhalën, për t’ia liruar banesën pas dy vitesh. Por, shton Shishani, ai e kishte kuptuar ndërkohë se ajo banesë nuk ishte pronë e Buzhalës.

“Kur kam shku në komunë më kanë thënë se kjo banesë nuk është pronë e saj”, thotë Shishani.

Për ta zgjidhur kontestin, familja Buzhala i ishte drejtuar gjykatës.

Fillimisht Gjykata Komunale e Drenasit në vitin 2006, e më pas edhe ajo e Qarkut në vitin 2011, i kishin dhënë të drejtë kësaj familje që të kthehej në banesë. Vendimi i gjykatës në këtë rast ishte i qartë: familja Shishani duhej të largohej nga banesa për shkak se provat e paraqitura nuk ishin marrë parasysh nga gjykata. Vendimi, sipas Zejnepe Buzhalës, ishte caktuar të ekzekutohej me datë 3 shtator 2012.

Mirëpo, atë ditë, ekzekutimi i këtij vendimi kishte qenë i pamundur për shkak se Fadil Shishani kishte kanosur palët në gjykatë.

Këto kërcënime gjykatësi Skender Zariqi i ka shënuar në një shënim zyrtar të gjykatës.

“Në bisedë e sipër ka filluar kanosja e Fadil Shishanit ndaj familjes Buzhala dhe avokatit të tyre”, thotë gjykatësi Zariqi.

Gjykatësi thotë se është ndier i kërcënuar nga deklarata e Shishanit.

“Unë jam ndier i kërcënuar nga kjo deklaratë për atë edhe kam bërë një shënim zyrtar” thotë Zariqi.

Rrëfim të ngjashëm për këtë ngjarje kanë edhe Zejnepe Buzhala dhe avokati Dobruna.

“Fadli Shishani na ka thënë që nëse në ditën e ekzekutimit familja Buzhala dhe Ibrahim Dobruna vijnë para banesës do të ketë rrezik me pasoja shumë të mëdha”, thotë Zejnepe Buzhala.

Frika nga ky kërcënim, sipas avokatit Dobruna, ishte bërë edhe më serioze pasi palët e dinin se Fadil Shishani ishte polic.

Avokati Ibrahim Dobruna thotë se me kërcënimin “do të dëgjojë Evropa”, Shishani aludonte në “vrasjet masive që kanë ndodhur në Norvegji” për të cilat vrasësi Andreas Breivik ishte dënuar me 21 vjet burgim më 2012.

Kërcënimi në fjalë është denoncuar në Inspektoriatin Policor të Kosovës. Sipas të parit të hetimeve, Jetullah Aliut, pas hetimeve të kryera inspektoriati ka ngritur një kallëzim penal për policin Shishani.

Mirëpo, Shishani mohon të ketë kërcënuar qoftë gjyqtarin qoftë palët në gjykatë. Sipas tij, me deklaratën se “do marrë vesh e tërë Evropa” ai ka nënkuptuar se do t’i ftonte mediat për t’u treguar se çfarë ka ndodhur në këtë rast dhe “çfarë padrejtësie kishte bërë gjykata”.

Sipas gjykatësit Zariqi, vendimi i gjykatës për ta kthyer Zejnepe Buzhalën në banesë është ekzekutuar më 12 shtator 2012. Mirëpo, edhe përkundër asaj që kjo familje është vendosur në banesë me një vendim të gjykatës, komuna e Drenasit ka vendosur që ta nxjerrë jashtë me një akvendim administrativ të datës 17 shtator 2012. Me të ishte vendosur që familjes Buzhala t’i merret nga shfrytëzimi banesa vetëm pesë ditë pasi që gjykata e kishte kthyer aty.

Sipas të kryetarit të Drenasit, Nexhat Demaku, komuna ka pasur të drejtë ta marrë këtë vendim për shkak se kjo banesë është pronë e komunës dhe komuna ua jep në shfrytëzim atyre që kanë nevojë.

“Ne kemi vendosur t’ia marrim familjes Buzhala banesën nga shfrytëzimi për shkak se ata e kanë të zgjidhur banimin”, thotë Demaku.

Ai madje në vitin 2009 ka lidhur një kontratë me Fadil Shishanin që kjo banesë t’i jepet atij në shfrytëzim për dhjetë vjet. Vendimet e tilla të komunës janë kundërligjore për avokatin Ibrahim Dobruna. Sipas tij, komuna ka vendosur të lidhë kontratë të re pa e anuluar kontratën të cilën Zejnepe Bushala e kishte për shfrytëzimin e banesës.

Sipas Dobrunës, argument tjetër që dëshmon të drejtën e kësaj familje në këtë banesë është edhe vendimi i gjykatës i cili ua njeh të drejtën e privatizimit të kësaj banese familjes Buzhala. Sipas Dobrunës, konform kontratës së vitit 1994, familja Buzhala ka nisur procedurat për privatizimin e banesës.

Sipas tij, komuna nuk u ka ofruar përgjigje në kërkesën e tyre dhe për këtë arsye familja i është drejtuar gjykatës. Kjo e fundit në shkallë të parë i ka dhënë të drejtën familjes Buzhala që ta privatizojë banesën.

I pari i komunës Nexhat Demaku thotë se për këtë temë avokati i komunës ka paraqitur ankesë në shkallën e dytë duke shtuar se ai do ta mbrojë pronën komunale deri në fund. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.