Porositë e Clintonit, të qarta për serbët

17:11 / 1.11.2012
Porositë e sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, lidhur me sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, kanë qenë të qarta për të gjithë, pra edhe për serbët e veriut të Kosovës, por ata do të vazhdojnë të rezistojnë, vlerësojnë politikanët serbë nga veriu i vendit.

Politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanovic, ish-zyrtar i Qeverisë së mëparshme serbe, thotë se deklaratat e sekretares së Shtetit, Clinton, përfaqësojnë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat tashmë e kanë bërë të ditur se nuk do të heqin dorë nga shteti i Kosovës, pavarësinë e të cilit e kanë pranuar.

Sipas tij, serbët e veriut as që kanë pritur që ky qëndrim të jetë ndryshe, por, siç thotë ai, prania e zonjës Clinton së bashku me shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, tregon një qasje dhe qëndrim të përbashkët ndaj temës së Kosovës, e cila, sipas tij, është një temë e hapur.

“Është e sigurt se mund të pritet një përshpejtim në procesin e bisedimeve dhe shpresojmë, të paktën nga ajo që e kanë thënë ato, se ekzistojnë sinjale për një zgjidhje, e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët. Kjo, për faktin se zgjidhjet që vinin nga jashtë, përballë Kushtetutës sonë, janë shumë negative. Duke filluar prej Ahtisarit, por edhe para tij, gjithmonë kanë qenë zgjidhje që u kanë konvenuar shqiptarëve të Kosovës. Besojmë se kjo nuk do të ndodhë tash”, thotë Ivanovic.

Por, kështu nuk mendon politikani serb, Dragisa Kërstovic nga Leposaviqi. Ai thotë se sekretarja e Shtetit, Clinton, ua ka bërë të qartë të gjithëve qëndrimin e saj dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se lidhur me statusin e Kosovës nuk do të ketë kurrë farë dialogu.

“Mua më duket se zonja Hillary Clinton, ashtu sikurse edhe herëve tjera, edhe këtë herë, ka qenë mjaft e qartë. Qëndrimet e saj, të cilat edhe e prezantojnë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë krejtësisht të qarta. Sidomos, të qarta janë kur flitet për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. U tha qartë se Shtete e Bashkuara të Amerikës nuk do të lejojnë çfarëdo diskutimi ose dialogu lidhur me këtë çështje. Kështu që nuk besoj që kushdo qoftë do të mund ta interpretojë ndryshe këtë qëndrim, nga ajo çfarë e ka thënë zonja Clinton”, shprehet Kërstovic.

Në anën tjetër, Ivanovic vlerëson se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, buron nga fakti se ato e kanë pranuar Kosovën si shtet. Por, sipas, tij, serbët nuk do të heqin dorë nga qëndrimet e tyre.

“Nga ana jonë, nuk do të ketë tërheqje. Kosova, si e tillë, nuk do të pranohet si shtet dhe derisa Serbia ta ketë një qëndrim të tillë, kjo në masë të madhe do të ndikojë edhe në qëndrimet e anëtarëve të përhershme të Këshillit të Sigurimit”.
Njeriu i zakonshëm nuk mendon në këtë mënyrë. Ai thotë ‘ne e dimë se çfarë mendojnë amerikanët, prandaj shkojmë tutje’. Është me rëndësi që amerikanët dhe Bashkimi Evropian në këtë moment pajtohen se problemi i serbëve në Kosovë nuk është zgjidhur dhe se serbët, problemet e tyre të grumbulluara, nuk mund t’i zgjidhin vetë me shqiptarët, por është e nevojshme një prani e fuqishme ndërkombëtare”, thekson Ivanovic, transmeton Rel.

Edhe Kërstovic vlerëson se në veri të Kosovës, serbët do të vazhdojnë ta rezistojnë shtetin e Kosovës, duke këmbëngulur se Kosova është pjesë e Serbisë.

"Në veri do të ketë ende rezistencë. Në veri ende do të vazhdojë ajo politikë, e cila e konsideron Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë, ashtu siç edhe është thënë në Kushtetutën e shtetit serb. Por, mendoj se me kohë gjërat duhet të ndryshojnë”, potencon Kërstovic.

Ndryshe, sekretarja e Shtetit, Clinton, dhe baronesha Ashton, u kanë bërë thirrje Kosovës edhe Serbisë që ta vazhdojnë dialogun deri në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
9:28 / 24.05.2013
Leona Lewis

Leona Lewis e interesuar në astrologji

Këngëtarja britanike, Leona Lewis, fascinohej nga astrologjia kur ajo ishte e re dhe gjithmonë ëndërroi që të shkonte n...
Teknologji
22:21 / 23.05.2013
Google Voice Search rrugës për në iOS

Google Voice Search rrugës për në iOS

Google i ka njoftuar pronarët e pajisjeve të Apple, përkatësisht sistemit operativ iOS se brenda disa ditësh ata mund të ...
Ekonomi
9:52 / 24.05.2013

Fadil Ismaili, miliona euro “Komtel”-it

Ministri i ri i Zhvillimit Ekonomit të Kosovës (MZHE), Fadil Ismajli, i emëruar në kuadër të riformatimit të qeverisë T...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.