Prangosen falsifikatorët e pasaportave shqiptare
Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona gjatë 24 orëve të fundit, të cilët akuzohen për “falsifikim të pasaportave dhe vizave”, ndërsa dy të tjerë i janë shpallur në kërkim.Gazeta “Shekulli” citon burime zyrtare sipas të cilave janë arrestuar në flagrancë 40- vjeçari, Luan Tetaj, 22-vjeçari, Qendrim Beqaj, 18-vjeçarja, Fatlinda Tetaj dhe 62-vjeçarja, Pranvera Lika.
Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar aplikim fals për pajisjen me certifikatë personale dhe familjare të shtetases Fatlinda Tetaj, e cila me pas do të pajisej me pasaportë biometrike duke përdorur të dhënat personale të shtetases Tatjana Matraku.
Ndërkohë, nga hetimet e bëra deri tani mendohet se duke përdorur gjeneralitetet e një shtetasi me banim në Tiranë, kanë aplikuar për prodhim pasaporte biometrike edhe disa shtetas kosovarë, kundrejt pagesës prej 2000 eurosh për një pasaportë.
Ka qenë verifikimi i dokumentacionit nga punonjësit e policisë në komisariat, të cilët kanë bërë të mundur mos vazhdimin e mëtejshëm të procedurës si dhe arrestimin e tyre në momentin e dorëzimit të formularëve për verifikim. /Telegrafi/