Probleme në PS: Grupi mediatik i Ramës, në krye të listave për deputetë

12:45 / 2.02.2013

Teksa ka mbetur edhe një muaj nga afati përfundimtar për shpalljen e listave të kandidatëve për deputetë, për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, në Partinë Socialiste ka plasur sherri. Ashtu siç edhe pritje, procesi i hartimit të listës së kandidatëve për deputetë po provokon krisjen e Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve.

Ndërsa ankthi i listës ka përfshirë selinë rozë dhe grupin parlamentar socialist, debate për kandidatët ka shpërthyer në bazë. Edhe pse është kërkuar që lista e kandidatëve të dalë nga baza socialiste nëpërmjet një procesi transparent, nga ana tjetër Rama mësohet se ka projektuar listën e deputetëve me një grup të ngushtë, shkruan gazeta Sot.

Lista në fjalë ka shkaktuar tension, kundërshti dhe pakënaqësi në radhët e drejtuesve të Partisë Socialiste në rrethe, për shkak të emrave të diktuar nga lart. Konkretisht, drejtuesit e Partisë Socialiste të Bashkisë së Peqinit kanë refuzuar emrin e gazetarit Alfred Peza, i diktuar nga kryesocialisti Rama si kandidat për deputet. Kandidatura e Pezës është hedhur për shqyrtim në strukturat përkatëse të PS-së së Peqinit, për të krijuar idenë se reflekton vullnetin e bazës socialiste.

Ndërkaq, sipas burimeve, strukturat e PS së Peqinit janë shokuar nga kandidatura, ndërsa e kanë refuzuar në mënyrë kategorike, me argumentin se Peza nuk ka asnjë kontribut në PS. Madje, disa prej drejtuesve kanë kërcënuar me dorëheqje dhe largim nga PS nëse kandidatura në fjalë do të përfshihej në listën e deputetëve mbi vijën e sigurisë.

Pas përplasjeve dhe akuzave, ka ardhur edhe reagimi i Ramës, i cili ka shkarkuar drejtuesit e PS-së. Kryesocialisti ka mandatuar deputetë të PS-së të zonës për t’u kujdesur për procesin e zgjedhjes së drejtuesve të rinj para datës 3 mars, afatit përfundimtar për shpalljen e listës.

Përpos grupit të Erjon Veliajt, grupit të të përjashtuarve pas largimit të Nanos, grupit të biznesmenëve si dhe grupit të të konsoliduarve në PS, në krye të listës së kandidatëve të PS-së për deputetë do të jetë edhe grupi i ngushtë mediatik i Edi Ramës. Sipas burimeve të sigurta, themeluesit dhe botuesi i gazetës “Shekulli”, Koço Kokëdhima, do të kryesojë listën e kandidatëve për deputetë të PS-së në Qarkun e Fierit. Kokëdhima njihet si mik i vjetër i Edi Ramës. Po ashtu, sipër vijës së sigurisë, në listat për deputetë të PS do të jenë edhe Mustafa Nano, Anila Basha, Ardian Thano etj.

Zyrtarizimi i grupit mediatik në listat për deputetë do të jetë një moment shumë i vështirë për Ramën, pasi do të provokojë një reagim të ashpër të deputetëve aktualë të PS, të cilët do të spostohen nga fundi i listës.

Sipas burimeve, në krye të listës të deputetëve do të jetë grupi i Erjon Veliajt dhe i Mjaft-it, i konsideruar si delja e zezë në Partinë Socialiste. Pasi Fundosi Forumin Rinor Eurosocialist, Veliaj pritet të shkaktojë shumë pakënaqësi dhe reagim tek “xhaketat” e vjetra të PS-së. Ndonëse pa identitet dhe kontribut të madh në PS, grupi i Erjon Veliajt pritet të jetë pjesë e Kuvendit pas 2013, falë mbështetjes ndaj Ramës. Kështu, në krye të listave dhe sipër vijës së sigurisë pritet të jenë Elisa Spiropali, Erion Veliaj, Olta Xhacka, Endri Fuga, Gent Gazheli, Arber Mazniku etj. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.