Profesorët politikanë janë më të papërgjegjshmit
Besim Beqaj, Enver Hasani, Ibrahim Gashi, Arsim Bajrami, Hajredin Kuçi, Isa Mustafa, Bardh Rugova, Mazllum Baraliu, Edi Shukriu..., janë profesorët më të papërgjegjshëm të UP-së, të cilët mungojnë në ligjërata, provime...Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, të hënën përmes një konference për medie ka bërë publik një vlerësim të studentëve në formë pyetësori, përmes së cilit kanë identifikuar se profesorët të cilët janë figura politike kanë dalë të jenë ata të cilët nuk respektojnë aspak studentët e tyre, duke mos marrë pjesë në ligjërata.
Në mesin e 83 profesorëve që nuk i respektojnë studentët hiç apo që mungojnë më së shumti në ligjërata, sipas këtij hulumtimi janë: Besim Beqaj, Enver Hasani, Ibrahim Gashi, Arsim Bajrami, Hajredin Kuçi, Isa Mustafa, Bardh Rugova, Mazllum Baraliu, Edi Shukriu etj.
Drejtuesit e Parlamentit Studentor kanë thënë se 3 ditë para publikimit të këtij pyetësori kanë pasur presion nga profesorë politikanë e deputetë që ky hulumtim mos të publikohet.
Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, Mentor Hasani tha se kanë pasur presione të vazhdueshme që të mos publikojnë këtë hulumtim, megjithatë sipas tij, përmes pyetësorëve të shpërndarë kanë evidencuar shumë parregullsi dhe defekte tjera në stafin akademik dhe administrativë.
“Nëse këta profesorë mungojnë prapë, ne do të shikojmë format e mënyrës së organizimit të studentëve për t’i ndaluar këto të këqija, sepse përveç që ndikojnë në cilësinë në universitet, i dëmtojnë studentët, njëkohësisht e dëmtojnë edhe Buxhetin e Kosovës”, ka thënë Hasani, raporton Zëri.
Sipas tij, në bazë të këtij pyetësori i rekomandojnë menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës që seriozisht të punojë në përmirësimin e defekteve, të cilat janë identifikuar nga studentët. /Telegrafi/