Programe ekonomike elektorale pa objektiva SMART

0:08 / 1.12.2010

Koncepti SMART përmban pesë pika apo konditat kryesore që duhet të plotësoj një objektiv në mënyrë që të jetë i suksesshëm dhe , në rastin politik, të merr përkrahjen e publikut. SMART, është akronim për: “Specific, Measurable, Achievable, Realistic, and Timely” që në shqip mund të përkthehet si: Specifik, i Matshëm, i Arritshëm, Real dhe në Kohë

Edhe pse zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit, po fillon sot (01.12.2010), gjatë fushatës së pashpallur zgjedhore, që u zhvillua këtyre ditëve, shihet se, pjesa ekonomike e programeve elektorale të partive do të zë një vend të konsiderueshëm në fushatën zgjedhore. Normalisht, ky mund të quhet një avancim për subjektet politike, sepse do të fillojnë të merren me problemin kryesor që ka vendi sot. Por, pyetja që shtrohet para subjekteve politike nuk është se sa do t’i japin prioritet zhvillimit ekonomik në programet e tyre (sepse në këto kushte të treguesve makroekonomik do të ishte papjekuri politike të veprohej ndryshe), por që programet e tyre të jenë të qarta, dhe të japin përgjigje konkrete në shumë pyetje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik. Pra, çka u mungon programeve të partive dhe çka pret qytetari i Kosovës, nga partitë?

Për dallim nga herët e tjera, këto zgjedhje, pritet të jenë të parat ku vota do të filloj të orientohet sipas programeve. Prandaj, duke qenë kështu, partitë duhet të dalin me programe konkrete për zhvillimin ekonomik, ku janë të përcaktuara qartë objektivat, sipas konceptit SMART të Piter Drukerit (Peter Drucer). Koncepti SMART që mori emërtimin si akronim i fjalëve kyçe të këtij koncepti përmban pesë pika apo konditat kryesore që duhet të plotësoj një objektiv në mënyrë që të jetë i suksesshëm, e në rastin politik, të merr përkrahjen e publikut. SMART, u formua nga fjalët: “Specific, Measurable, Achievable, Realistic, and Timely” që i përshtatet edhe akronimi në shqip (përpos fjalës për kohën): Specifik, i Matshëm, i Arritshëm, Real dhe në Kohë.

Të sqarojmë në vazhdim këto pesë kushte veç e veç, në mënyrë që edhe partitë, por edhe lexuesit e kësaj analize ta kenë më të qartë se çka dhe si duhet ofruar votuesit, përkatësisht çka duhet kërkuar nga programi politik, në këtë rast ekonomik.

Specifik - Përcaktimi i qartë i objektivave-qëllimeve fillon me specifikat. Kjo ndihmon për të vendosur bazat në mënyrë që të gjithë ata të cilëve ju ofrohet programi duhet të dinë saktësisht se çfarë rezultate pozitive dhe negative kanë objektivat. Kjo përfshin përgjigjet për pyetjet: çka, pse dhe si? Pra, çfarë do të arrini? Pse është e rëndësishme? dhe, Si do ta arrini këtë? Duke siguruar që çdo qëllim, çdo objekti i caktuar, është i veçantë-specifik, do t'ju japë një mundësi të mirë për të kuptuar saktësisht se çfarë duhet bërë për të arritur atë.

I Matshëm - Futja e kësaj kondite në hapa të ndryshëm përgjatë rrugës, lejon të monitorohet nga afër progresi. Duke ditur se si do të duken këto qëllime, pas një kohe të caktuar do të krijoj mundësinë që të bëhen rregullimet e nevojshme nëse diçka nuk shkon. Elementi matës normalisht që krijon mundësinë që në momente të caktuara të shikohet se sa është arritur të realizohet nga objektivi.

I Arritshëm - Duhet të jeni të sigurt se objektivat e caktuara, do të kërkojnë disa përpjekje, por nuk janë krejtësisht të paarritshme. Nëse, për efekt elektoral, bëhen pa analizuar mundësinë e realizimit, këto objektiva do të dështojnë, dhe nuk do të jenë të besueshëm për elektoratin. Gjithashtu nuk vlen as e kundërta që të jenë lehtë të arritshëm sepse dihet që elektorati pret shumë më shumë.

Real - Objektivat e caktuar duhet të jenë në përputhje me objektivat e përgjithshme të qytetarëve dhe natyrisht duhet të jenë reale. Këtu duhet të shikohet se a janë tashmë njerëzit, proceset dhe mjetet në vend dhe të gatshëm që të shfrytëzohen, ose a ka zona të tjera të cilat duhet të adresohen të parë? Është e rëndësishme të dini se cilat fusha ju duhet të punoni për të përmbushur objektivat tuaja, duke ruajtur një nivel të lartë të komunikimit të hapur.

Në Kohë - Është e rëndësishme për të vendosur korniza kohore për objektivat. Duke vendosur një kufi përfundimtar (endpoint) lejohet të përcaktohet qartë-një datë e objektiv për të gjitha palët e përfshira. Përcaktimi kohor i bënë më të besueshme këto objektiva, natyrisht edhe krijon detyrime për premtuesin por që edhe për të do të jetë më e lehtë pasi ka një orientim të qartë se çfarë duhet të bëjë.

Bazuar në këtë koncepte dhe në realitetin e Kosovës, programet ekonomike të subjekteve politike deri tash nuk kanë ofruar SMART objektiva, gjë që duhet të bëhet për këto zgjedhje.

Çka duhet ofruar programet?

Subjektet politike, duhet të tregojnë në mënyrë specifike se si do të arrijnë t’i përmirësojnë treguesit makroekonomik. A do të bëhet privatizimi i PTK-së, kur dhe si? Sa do të jetë pjesa e aksioneve që do të shiten sa do t’i mbesin shtetit, çfarë do të bëhet me mjetet e këtij privatizimi, si do të realizohet transparenca? Çfarë do të bëhet me autostradën, tashmë të emërtuar “Ibrahim Rugova”, sa do të kushtoj, si do të realizohen financimi, sa do të zgjasë ndërtimi dhe cilat do të jenë përfitimet? Çfarë do të bëhet me Kosovën e Re, dhe çfarë do të bëhet me Trepçën?

Duhet të bëhet e qartë se cila është dega ekonomike në të cilën do të mbështet zhvillimi ekonomik. Apo përsëri do të kemi strategji dhe planifikime që parashohin rritje, por që nuk tregojnë se si do të arrihen ato. Në këtë kuadër, ku do të jetë vendi i prodhimeve vendore, a do të përkrahen dhe si do të bëhet kjo? Do të bëhet përmes politikave fiskale apo përmes subvencionimit dhe granteve. A do të mbrohet prodhimi vendor, dhe si do të bëhet kjo, duke pasur parasysh kufizimet që kushtëzojnë marrëveshjet ndërkombëtare për tregti të lirë.

Përgjigje specifike kërkohen edhe për atë se cili është roli i bujqësisë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe cilët sektorë të kësaj dege duhet të jenë prioritet? Duhet të bëhet e qartë se a preferohet që të subvencionimi të bëhet përmes pagesave direkte apo do të subvencionohen produkte të caktuara? A do të kemi një subvencionim simbolik, por gjithëpërfshirës (në mënyrë që të përfitojnë numër sa më i madh i fermerë pavarësisht se vlera monetare e subvencionit është shumë e vogël) apo të bëhet subvencionim që do të sjellë efekte në rritje të prodhimit, përkatësisht në rritje të konkurrencës së fermës në Kosovë. Çfarë politike fiskale do të aplikohet për prodhimet bujqësore?

Po kështu, Kosovës i duhet përcaktimi i një strategjie të qartë nëse do të përcaktohet për favorizimin e eksporteve apo rritjen e konkurrencës së prodhimeve vendore karshi atyre të importit, dhe si do të bëhet kjo?

Dhe në fund, duke përmendur renditjen që Kosovës i kanë bërë për këtë viti raportet ndërkombëtare, siç ishte ai i “Transparency International” i cili Kosovën e radhitë në vendin e 110 dhe ai “Doing Business 2011” që e radhit Kosovën në vendin e 119 (në 2010 Kosova ishte e 118-ta), subjektet politike duhet të tregojnë qartë se sa të rëndësishme janë për to Investimet e Huaja Direkte dhe si do të arrijnë të sjellin ato në Kosovë.

Këto janë disa pyetje që kërkojnë qartësi, por ka edhe shumë të tjera. E derisa këto pyetje mbeten me përgjigje të përgjithësuara, atëherë do të jemi dëshmitar të një fushate me premtime boshe dhe rrjedhimisht për një qeveri të më pastajme që nuk do të mbajë përgjegjësi për këto premtime.

(Autori është në përfundim të studimeve master në Departamentin e Agroekonomisë, Fakulteti i Bujqësisë, në UP)

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.