Progres në legjislacionin kundër terrorizmit

10:19 / 1.08.2012
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vlerësuar se viti 2011 ka qenë një “vit historik” në përpjekjet globale kundër terrorizmit, përkundër paralajmërimeve se mbeten kërcënime të qëndrueshme. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Terrorizmin, në pjesën për Kosovën, thekson se Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në çështjet që lidhen me terrorizmin dhe ka shënuar progres në legjislacionin kundër terrorizmit.

Raporti thotë se Departamenti Kundër Terrorizmit në Kosovë ka qenë operacional, por duhet të zhvillojë marrëdhënie bashkëpunimi me agjencitë përkatëse qeveritare dhe komunitetet fetare.

Situata politike dhe e sigurisë në veri të Kosovës, po sipas raportit, ka kufizuar aftësinë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj në këtë zonë, ku Forca Paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, dhe Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, kanë përgjegjësi për të kontribuar në sigurimin e mjedisit dhe forcimin e rendit dhe të ligjit.

Legjislacioni dhe zbatimi i ligjit: Kosova ka shënuar progres në legjislacionin kundër terrorizmit. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me këshilltarët ligjorë të Departamentit për Drejtësi të Shteteve të Bashkuara, ka hartuar dhe i ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës Kodin e ri Penal, i cili përmban disa nene që adresojnë aktet terroriste, financimin terrorist dhe mbështetjen për terrorizmin. Nenet e reja po ashtu rrisin ndjeshëm dënimet për vepra terroriste, thuhet në raport.

Përveç kësaj, sipas raportit, autoritetet qeveritare kanë punuar nga afër me zyrtarët amerikanë të Komandës Evropiane, të cilët i kanë dhuruar Policisë së Kosovës një numër pajisjesh biometrike, si pjesë e një nisme për të identifikuar terroristët e njohur ose të dyshuar, individët që ndihmojnë veprimtarinë terroriste dhe të huajt që ngrenë shqetësime terroriste.

Programet trajnues amerikane, të plotësuara me donacionet e pajisjeve, kanë përmirësuar aftësinë e Doganave të Kosovës dhe të Policisë Kufitare të Kosovës për të kontrolluar kufijtë dhe për të zbuluar dhe ndaluar armët dhe kontrabandat e tjera në vendkalimet kufitare, thuhet në raportin e DASH-it.

I njëjti vlerëson se Departamenti Kundër Terrorizmit është operacional, porse vazhdon të zhvillojë kapacitetin e tij për të kryer plotësisht funksionet e përshkruara me mandat.

Kuvendi i Kosovës ka themeluar Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave në fillim të vitit 2011, thekson raporti.

Lufta kundër financimit të terrorizmit: Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit është miratuar në vitin 2010 dhe zbatuar më 2011. Qendra e Inteligjencës Financiare, e cila ka operuar nën ombrellën e UNMIK-ut, është rimodeluar në Njësinë e Inteligjencës Financiare. Qeveria ka shënuar progres në transferimin e kompetencave tek agjencia e re, thekson raporti.

Raportimi i kërkesave për transaksione mbi 10,000 euro, për transaksione të dyshuara dhe të strukturuara është zbatuar, ashtu si edhe shumica e kërkesave të Task-Forcës për Veprim Financiar.

Raporti kujton se Ekipi për Krime Ekonomike i Zyrës së Thesarit ka dërguar një këshilltar në Prishtinë, në prill të vitit 2010. Ky këshilltar, vijon raporti, ka punuar me homologë të ndryshëm për të përmirësuar kapacitetet e Njësisë së Inteligjencës Financiare për të identifikuar dhe analizuar shpëlarjet e dyshuara të parave dhe financimin e terrorizmit; për të përmirësuar pastaj aftësinë e Administratës Tatimore të Kosovës, me qëllim nxitjen e pajtueshmërisë vullnetare me ligjin e taksave, si dhe për të rritur kapacitetin e Doganave të Kosovës për të identifikuar dhe ndaluar kontrabandën me para, transmeton REL.

Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar: Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një numër iniciativash për të rritur bashkëpunimin e saj brenda rajonit – më së shumti në lidhje me fqinjët e saj të parë për çështjen e kontrollit kufitar. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
18:36 / 25.05.2013
Lady Gaga, Foto: Twitter

Gaga do të kthehet në koncertin e Beyonce

Fansat e Lady Gagas nuk duhet të presin edhe shumë që ta shohin idhullin e tyre në skenën muzikore.
Teknologji
17:54 / 25.05.2013
BarCamp i 13-të, grumbullon komunitetet më aktive në Kosovë

BarCamp i 13-të, grumbullon komunitetet më aktive në Kosovë

Edicioni i radhës i BarCamp Prishtina, sponsorizuar nga IPKO Foundaiton dhe që është i trembëdhjeti me radhë, me 29 maj 2...
Ekonomi
15:45 / 25.05.2013

AKR: Akuzat ndaj Ismajlit, me karakter elektoral

Aleanca Kosova e Re, ka reaguar ndaj shkrimeve nëpër media, në të cilat ministri ri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, a...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.