Projektligji për "branitellat" dhe votëbesimi i Qeverisë në rend të ditës
Projekt ligji për përkujdesje institucionale për pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë "branitellat" e 2001, vazhdon të jetë në rend dite të seancës së Komisionit për Punë dhe Politikë sociale në Parlamentin e Maqedonisë.
Komisioni sot vazhdon seancën maratonike, ndërsa partitë e mazhorancës VMRO-DPMNE dhe BDI edhe përkundër kalimit të interpelancës dhe sigurimit të votëbesimit nuk kanë hequr nga rendi i ditës këtë çështje, që po vazhdon të nxis debate dhe tensione politike në vend në planin e marrëdhënieve ndëretnike.
Parlamenti sot vijon seancën maratonike, ndërsa sipas rendit të ditës, deputeti i BDI-së, Talat Xhaferri pritet të vazhdojë gjithashtu me fjalimet dhe strategjinë e tij për të bllokuar miratimin e këtij ligji në këtë komision.
Deputetët e BDI-së kanë paralajmëruar se nuk do të miratohet ky ligj dhe se do të vazhdojnë me aktivitetet dhe fjalimet e tyre për bllokimin e sjelljes së këtij ligji që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit dhe që anashkalon zgjidhjen e statusit të veteranëve të UÇK-së, raporton Ina.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE e cila ka mbështetjen e të gjitha partive maqedonase, duke përfshirë edhe ato të opozitës vazhdon të këmbëngul në sjelljen e këtij ligji. Kjo u nënvizua edhe nga kryeministri Nikolla Gruevski gjatë seancës së interpelancës.
Partitë parlamentare shqiptare të opozitës janë shprehur se janë kundër këtij ligji dhe në këtë drejtim mbështesin edhe partinë shqiptare në pushtet BDI, për mosmiratimin e tij. /Telegrafi/