Prokuroria kërkon burgim për Nazimen
Prokuroria e Tiranës do të ripërsërisë kërkesën për mbajtjen prapa hekurave të Nazime Vishës, vajzës e cila dyshohet se ekzekutoi Fiqiri Muçën, që e akuzonte për përdhunim dhe abuzim seksual.Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 30 ditë, për të dyshuarën për vrasjen me dashje të babait të pesë fëmijëve, duke e urdhëruar Prokurorinë të verifikonte pretendimet e palëve. Nazimja ngriti pretendimin se e vrau Muçën, pasi e kishte përdhunuar dhe abuzuar seksualisht që kur ishte 13 vjeçe, ndaj për këtë shkak, vajza iu nënshtrua ekzaminimit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Në përfundim rezultoi se 18-vjeçarja kishte kryer marrëdhënie seksuale që në moshë të mitur, nuk kishte pasur ndonjë abort dhe gjendja e saj psikologjike ishte e rënduar. Gjithashtu, organit të akuzës iu la detyrë që të verifikonte dëshminë e taksistit, që veç Nazimes, kishte rrëfyer se kishte parë dhe një burrë të pajisur me pistoletë, duke hedhur hije dyshimi se Fiqiri Muça mund të jetë qëlluar dhe nga pjesëtarë të tjerë të familjes Visha. Madje edhe familjarët e Fiqiri Muçës kanë ngritur dyshime se nuk është Nazimja autore e vrasjes, por të afërm të saj.
Por nga hetimet gati njëmujore, prokuroria ka në duar prova të forta ndaj Nazime Vishës, se është autore e ekzekutimit të 45-vjeçarit, ndaj do t’i drejtohet gjykatës që të caktojë ndaj saj masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjykata do të vendosë për fatin e vajzës, pasi të njihet me provat e organit të akuzës, ku mes të tjerash, janë dhe akt-ekspertimet e Mjekësisë Ligjore, të laboratorit kriminalistik, ku është përcaktuar lloji i armës, me të cilën është qëlluar Fiqiri Muça, si dhe akte të tjera shkencore, shkruan “Gazeta Shqiptare”.
Ndërkaq, Nazime Visha, do t’i qëndrojë kërkesës për t’u hetuar nën një masë të lehtë sigurie, edhe pse e pranon autorësinë e krimit, por shprehet se e bëri vrasjen e detyruar nga rrethanat në të cilat ndodhej. Fiqiri Muça u qëllua për vdekje mbrëmjen e 13 gushtit 2012, në Krrabë të Tiranës, para shtëpisë së xhaxhait të Nazime Vishës.
E reja deklaroi se e qëlloi për vdekje kunatin e motrës, pasi e kishte përdhunuar dhe abuzuar seksualisht, madje atë natë kishte shkuar ta merrte me qëllimin për ta trafikuar. Madje vajza u rrëfeu hetuesve se Fiqiri Muça e kishte mbajtur peng në malet e Bulqizës dhe Burrelit për ditë të tëra, ku dhe e kishte torturuar dhe më pas e kishte detyruar të hiqte dorë nga denoncimi dhe të deklaronte se ishte ikje me dëshirë. /Telegrafi/